Tirana drejt humbjes së një tjetër pjese të atij pak territori sportiv që i ka mbetur kryeqytetit shqiptar. Fjala është për “Kompleksi Dajti”, një kompleks fushash futbolli në shërbim të sportit pranë Inxhinierisë së Ndërtimit që sot nuk ekziston.
Sot i shkatërruar dhe në vend të tij shumë shpejt, në vend të fushave të futbollit do të mbijnë pallate shumëkatëshe, në emër të një babëzie për fitim që dëmton sportin.
Territori në fjalë, ai i ish Kompleksit Dajti, deri para pak javësh gëzonte statusin ligjor si një territor” për aktivitete sociale dhe rekreative”, pra që i përket sportit por në datën 28 dhjetor, pak para Vitit të Ri, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën me vendime të rëndësishme por që duhen kaluar pa bërë shumë bujë në opinionin publik, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, ka miratuar propozimet për ndryshimin e destinacionit, duke e përcaktuar si një territor për banim.
Në këtë mënyrë i është hapur rrugë tjetërsimit të terrenit, më thjesht ndërtimit të pallateve aty ku ndodhej një ambient sportiv. Vendimi i datës 28 dhjetor 2021, në këtë mënyrë i hap dritën jeshile betonizimit të një tjetër copëze nga ajo pak hapësirë që i ka mbetur sportit në kryeqytet.
Gjithashtu fakti që kanë nisur tanimë punimet me shembjen e objekteve ekzistuese, do të thotë se kompania në fjalë disponon një leje prishjeje nga ana e Bashkisë Tiranë, çka do të pasohet me betonizimin e një tjetër terreni sportiv ku do të ndërtohen pallate.
Prishja e ambienteve sportive për shkak të makutërisë për ndërtim të shfrenuar dhe fitim të shpejtë, ka qenë një ndër proceset më të dhimbshme në dëm të sportit në gjithë historinë e pas viteve 90-të, sidomos me kryeqytetin që ka humbur pjesën absolute të hapësirave në shërbim të sportit, por pikërisht atëherë kur besohej se një barbarizëm i tillë kishte ndalur, dhe kur nga Bashkia Tiranë trumbetohet një trend i ri, në favor të sportit, të të rinjve dhe ambienteve publike, faktet flasin ndryshe: kryeqyteti humbet të tjera terrene sportive, gjithçka për të fituar disa miliona më shumë.