Skandal shtetëror/ Burgoset gruaja lehonë, pas hekurave 8 ditë pasi lindi foshnjën

Personi në foto është Naim Bahçja, nga fshati Drisht i Postribës. Prej 1 jave, ai po kujdeset i vetëm për fëmijën e tij të porsalindur, pasi bashkëshortja e tij, Diana Bahçja është arrestuar nga policia e Shkodrës.



Gjykata e shkallës së parë në Tiranë, ka vendosur ndaj Dianës një gjobë në vitin 2020 prej 2 milionë e 500 mijë lekë të vjetër duke ia konvertuar një javë më parë, pra pas tre vitesh me burg një muaj e 20 ditë.

Naimi thotë se bashkëshortja e tij u arrestua një javë më parë kur djali i saj ishte vetëm 8 ditësh, i porsalindur pa pasur asnjë dijeni as për gjobën e vendosur para tre vitesh dhe as për vendimin e dënimit me burg.

Diana Bahçja është dënuar për braktisjen e një fëmije nga martesa e parë, por ajo mohon se e ka braktisur vajzën e saj. Në një bisedë telefonike nga burgu i grave në Tiranë, e dënuara thotë se ish-bashkëshorti pasi e ka keqtrajtuar e ka nxjerrë nga shtëpia duke mos ia lënë as vajzën.



Për djalin që sapo ka mbushur dy javë nga momenti i lindjes kujdeset Naimi dhe mbesa e tij 11 vjeçe duke treguar se e kanë shumë të vështirë qoftë për ushqyerjen, por edhe për përkujdesjen ndaj foshnjës.

Apeli i 28-vjeçarit është që bashkëshortja e tij të lirohet sa më parë dhe të kthehet tek fëmija i porsalindur ndërsa tregon se është i gatshëm që të marrë edhe vajzën që bashkëshortja e tij ka nga martesa e parë.



E dënuara Diana Bahçja është nga Burreli ndërsa edhe ish-bashkëshorti i saj që e ka denoncuar për braktisjen e fëmijës së parë disa vite pas divorcit është nga Burreli, denoncim që e ka bërë pasi Diana është martuar për herë të dytë në Shkodër.

Author: morevesh