Çmimet që drejtuesit e mjeteve do të paguajnë për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve do të diferencohen bazuar në faktorët që ndikojnë në rrezikun për të shkaktuar dëme.
Në projektrregulloren “Për përcaktimin e nivelit të provigjoneve teknike dhe të faktorëve të riskut për produktet e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përcaktuar një listë të faktorëve të riskut që kompanitë e sigurimeve duket të përdorin për të llogaritur primet që drejtuesit duhet të paguajnë për të siguruar mjetet e tyre.
Kjo projektrregullore është akoma në fazë diskutimi dhe u është dërguar për mendim kompanive të sigurimit.
Faktorët e propozuar nga AMF janë mosha e mjetit, fuqia motorike, qarku ku është regjistruar mjeti motorik, burimi i energjisë së mjetit (elektrike apo jo elektrike), mosha e të siguruarit dhe eksperienca në drejtimin e automjetit. Faktorë të tjerë që rekomandohen të zbatohen nga shoqëritë e sigurimit janë Bonus-Malus (historiku i dëmeve), qëllimi i përdorimit të automjetit, distanca vjetore e përshkruar si dhe faktorë të tjerë të riskut që bëjnë të mundur diferencimin e primit në bazë të riskut që mbart i siguruari.
Ashtu siç parashikon ligji i ri për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit (që hyri në fuqi në korrik të këtij viti), sistemi Bonus-Malus mund të përdoret në mënyrë vullnetare nga kompanitë e sigurimit. Megjithatë, siguruesit janë shprehur qartazi se nuk kanë asnjë dëshirë të aplikojnë sistemin Bonus-Malus në kushtet e tregut shqiptar, ndaj nuk pritet që në të ardhmen e afërt të ketë stimulim të shoferëve të mirë dhe penalizim të atyre që kanë historik dëmesh
Aktualisht, shoqëritë e sigurimit përdorin në mënyrë direkte më pak faktorë rreziku në llogaritjen e primeve, kryesisht moshën e mjetit dhe fuqinë motorike. Faktorë të tjerë që mund të ndikojnë ndjeshëm në rrezikun e ndodhjes së dëmeve, si, për shembull, mosha apo përvoja e drejtuesit të mjetit, zona ku qarkullon mjeti, etj. sot nuk merren në konsideratë.
Projektrregullorja përcakton se tarifat e primit të sigurimit të detyrueshëm nuk mund të ndryshohen më shumë se dy herë brenda një viti kalendarik. Shoqëritë e sigurimit duhet të njoftojnë AMF të paktën 30 ditë kalendarike përpara aplikimit të tarifave të reja të primit dhe depoziton në Autoritet bazat teknike, faktorët e riskut dhe vlerësimet aktuariale të përdorura për llogaritjen e këtyre primeve, të shoqëruara me opinionin e aktuarit të autorizuar të shoqërisë.
AMF mund të urdhërojë rishikimin e tarifave të reja të primeve, nëse konstaton se baza e të dhënave për hartimin e tabelave të primit nuk është e saktë, ose shoqëria e sigurimit nuk ka vepruar në përputhje me parimet aktuariale dhe metodologjinë e përdorur për përfshirjen e faktorëve të riskut të përcaktuar në rregulloren në
fjalë.
Projektrregullorja përcakton disa kërkesa shtesë edhe në drejtim të transparencës. Shoqëria e sigurimit duhet të publikojë primet e rrezikut, koeficientët e faktorëve të riskut (shoqëruar me raste të zbatimit të tyre në praktikë), si dhe primet (çmimet) e sigurimit të detyrueshëm, në faqen e saj të internetit dhe t’i mbajë ato të afishuara në faqe gjatë gjithë periudhës së zbatimit. Gjithashtu, tabelat me primet e sigurimit duhet të qëndrojnë të afishuara në çdo pikë të shitjes së shoqërisë, gjatë gjithë periudhës së zbatimit të tyre./ Monitor./shqiperiaime.com.al