Përveç shkeljes së të drejtave të qytetarëve shqiptarë, rreziku i publikimit të listës së pagave, lidhet edhe me sekretin shtetëror. Në këtë listë, me përmbi 650 mijë emra qytetarësh shqiptarë dhe të huaj, sipas burimeve të prokurorisë, në rast se ajo përfundon në duart e gabuara (sa kohë është virale), ekspozon shërbimet sekrete vendase, ku ndonëse flitet për emra të koduar të shënuar me ‘anonymis’, përftohet informacion se për çfarë shërbimesh bëhet fjalë në secilin qytet dhe dilet me një rezultat.
E njëjta gjë edhe për oficerët e policisë dhe agjentët e informimit, shërbimet e forcave të armatosura dhe detyrat përkatëse që mban secili prej tyre në ushtrinë që është pjesë e NATO-s dhe ka rregulla të qarta.
Dëmi i dytë lidhet me sigurinë e qytetarëve të super-paguar dhe të kompanive që i paguajnë ata, të cilët ekspozohen ndaj keqbërësve dhe shumë mirë mund të bien pre e kërcënimeve dhe kanosjeve të tyre.
Dëmi i tretë, sipas ekspertëve të kibernetikës, lidhet drejtpërdrejt me rënien e murit të sigurisë për çdo shtetas që ka emrin në atë listë, sa kohë numri i kartës së identitetit tani mund të quhet që është publik.
“Po sjellim një shembull, ‘on line’ me shërbimet telefonike kërkohet numri i kartës së identitetit dhe adresa, një keqbërës i ka të dyja, ka numrin e kartës, ka edhe adresën e punës, fare mirë mund të tjetërsojë dhe të ndërhyjë në të dhëna mjaft të rëndësishme”, – thotë një ekspert i njësisë kibernetike për Gazetasi.al, sipas të cilit, duhet ndërhyrja e Komisionerit në këtë rast vlerësohet mjaft periferike.
Nga ana tjetër, prokuroria thotë se ka nisur hetimet ndaj AKSHI-t, ISSH-së dhe Tatimeve për të zbuluar se nga u përhapën këto të dhëna. Megjithë akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe ndërhyrjes në sistemin kompujterik, si hap i parë i akuzës deklarohet sekuestrimi i të dhënave për të kuptuar nga është loguar, edhe ky mjaft i vonuar.
Sipas burimeve të Gazetasi.al, mundësitë që sistemi të jetë hakeruar, janë fare të vogla dhe sipas të njëjtit burim, të dhënat në format ‘exel’ kanë dalë nga punonjës të institucioneve nën hetim.