Në 10 vitet e fundit, përllogaritet se 570 mijë shqiptarë kanë emigruar. Largimi i të rinjve nga vendi po ndryshon disa balanca që lidhen me punësimin, konsumin dhe nxitje të modeleve të reja të biznesit…
Ushqimet, më pak bukë e sallam, më shumë qofte
Emigrantët shpesh i lënë anëtarët e familjes së tyre në vendin e origjinës, sepse është e kushtueshme për të gjithë familjen të lëvizë, ose për shkak të politikave strikte të imigracionit dhe kushteve të pasigurta në vendet ku ata shkojnë.
Nga ana tjetër, ata dërgojnë para në shtëpi, nga të cilat përfitojnë ata që kanë mbetur pas, duke rritur konsumin e tyre dhe duke përmirësuar kushtet e jetesës. Por nuk ndodh gjithmonë kështu.
Në shqetësimet që kryesisht rrethet shfaqin, janë mbylljet masive të dyqaneve të vogla ushqimore të shitjeve me pakicë. Në vijim të tkurrjes së popullsisë, qoftë nga zhvendosja në kryeqytet, qoftë nga emigracioni jashtë vendit, rrethet e Shqipërisë vuajnë nga mungesa e të rinjve dhe bizneset e para që kanë vuajtur pasojat, janë pikërisht dyqanet ushqimore.
Një produkt që muajt e fundit është vënë re se ka pasur ulje të konsumit është buka. Adi Haxhiymeri nga Shoqata Shqiptare e Përpunuesve të Miellit, pohon se buka po blihet gjithnjë e më pak.
I pyetur nëse edhe çmimi në rritje gjatë këtij viti ka pasur ndikim në këtë rënie, ai thotë se si vazhdimësi e historikut të konsumit ndër vite, kjo rënie lidhet me largimin e të rinjve.
Sipas z. Haxhiymeri, të rinjtë dhe kryesisht meshkujt, janë konsumatorët kryesorë të bukës në vend. Importet e drithërave sipas INSTAT ranë me 26% në sasi për vitin 2022, duke arritur nivelin më të ulët të paktën që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat.
Burime pranë kompanisë ‘Hako’ dhe ‘Kazazi Meat’ pohojnë për ‘Monitor’ se ka një rënie të konsumit të produkteve të përpunuara të mishit, si sallame, salçiçe, proshutë dhe një ridrejtim te qoftet.
Sipas përvojës së tyre në treg, ndryshimi lidhet me mungesën e blerësve të rinj të cilët janë konsumatorët kryesorë të këtyre produkteve, ndërsa nënprodukte si qofte kryesisht preferohen në mosha më të mëdha.
Farmacitë, rënie e mëtejshme e shitjeve të prezervativëve
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria rezulton e fundit në Europë për planifikim familjar. Shifrat tregojnë se vetëm 12.9% e familjeve shqiptare kanë metoda të planifikimit familjar, shifra më e ulët në të gjithë Europën.
Përpos këtij fakti, farmacistë të ndryshëm në kryeqytet pohojnë se ka rënie të mëtejshme të shitjeve të prezervativëve. Sipas tyre, nëse më parë mungesa e përdorimit të tyre lidhej kryesisht me mungesën e njohurive të planifikimit familjar, tashmë shkak mendohet se është largimi i të rinjve.
Sipas ekspertëve të fushës farmaceutike, të rinjtë e moshës 26-40 vjeç besohet se janë kategoria e përdoruesve më të mëdhenj të ndërgjegjësuar tashmë nga informacionet dhe njëkohësisht, një nga grupmoshat që kanë emigruar më shumë vitet e fundit.
Farmacistët raportojnë se vihet re rënie e shitjeve të produkteve si multivitamina e suplemente të moshave më të rritura, që tashmë janë tejkaluar nga shitjet e së njëjtës kategori për fëmijë. Sipas tyre, më parë ishin kryesisht 30-40-vjeçarët që kërkonin më tepër suplemente ushqimore.
Më pak shqiptarë martohen, bien shitjet e mobilieve
Vitet 2000 patën një bum të nxitjes së sektorit të mobilierisë, ushqyer nga ndërtimet si dhe kërkesat e shqiptarëve për të ndryshuar stil, duke iu larguar uniformitetit të viteve të mëparshme.
Ajo çfarë ndodhur 5 vitet e fundit, është refren i përsëritur nga largimi masiv i shqiptarëve. Nga mobilieri ‘Hoxha’ që operon në të gjithë Shqipërinë, pohojnë se sidomos në dekadën e fundit, trendi i kërkesës për mobilim shtëpie ka qenë në rënie.
Pikun e kanë arritur tre vitet e fundit, sipas tyre, duke qenë se më pak shqiptarë po martohen, detyrimisht më pak kërkesa për dhoma gjumi apo kuzhina të reja.
Sipas tyre, bizneset kanë qenë klientela e tyre kryesore, sidomos bare e restorante dhe ky sektor do ta ndiejë edhe më shumë largimin e të rinjve gjatë viteve të ardhshme.
Celebrimet, 12% më të ulëta se para pandemisë
Emigrimi ka ndikuar dhe në rënien e martesave. Të dhënat e INSTAT bënë të ditur se në vitin 2021 u lidhën gjithsej 19.7 mijë martesa në të gjithë vendin.
Ndonëse në raport me vitin pandemik, celebrimet janë rritur me 12.7%,-teksa në 2020-n numri i tyre ra ndjeshëm për shkak të kufizimeve -, martesat mbeten më të ulëta në raport me para pandeminë.
Sipas INSTAT, numri i lidhjeve me kurorë në 2021 ishte 12% më i ulët se në 2019-n dhe 15% më pak se në 2018-n. Me përjashtim të vitit të pandemisë, 2021-i është periudha me martesat më të ulëta pas viteve 90. (Shiko grafikun: Numri i martesave gjithsej, 1990-2021)
Ndryshimi i stilit të jetesës, ku karakteristikë është rritja e moshës së martesës (3-5 vjet më shumë se në fillim të viteve ’90), plakja graduale e popullsisë dhe emigracioni i lartë i të rinjve vlerësohen si faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë.
Sipas INSTAT, mosha mediane e popullsisë (mosha që ndan popullsinë në dy pjesë të barabarta) ishte 38.2 vjeç në fillim të vitit 2022, rritje e ndjeshme në krahasim me fillimin e viteve ’90, kur ky tregues ishte më pak se 30 vjeç.
Në vitin 2021, mosha mesatare në martesë për burrat ishte 31,2 vjet (3 vjet më shumë se në fillim të viteve 90), ndërsa mosha mesatare në martesë për gratë ishte 27,7 vjet (gati 5 vjet më shumë se në fillim të viteve 90).
Në vitin 2021, qarku me moshën mesatare më të lartë në martesë për burrat ishte ai i Gjirokastrës, me 33,6 vjet, ndërsa qarku me moshën mesatare më të ulët në martesë për burrat ishte Durrësi, me 30,5 vjet.
Në të njëjtin vit, qarku me moshën mesatare më të lartë në martesë për gratë ishte i Lezhës, me 28,9 vjet, ndërsa qarku me moshën mesatare më të ulët në martesë për gratë ishte i Durrësit, me 27,1 vjet.
Nga Deada Hyka-Monitor.al