Sali Berisha dhe Ilir Meta po kalojnë ditët më të vështira në trajektoren e tyre politike. Sali Berisha është shpallur familjarisht ‘non grata’ nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është përjashtuar përfundimisht nga Partia Demokratike, të cilën e drejtori për 22 vjet, ndërsa ditët e fundit ka përfunduar bashkë me Foltoren nën çatinë e partisë së Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, çiftit mbi të cilin ka hedhur akuza nga më të përbindshmet. Lëvizjen e tij për krijimin e një PD-je paralele nuk e njohin as institucionet vendase dhe as faktori ndërkombëtar. Nga ana tjetër, Ilir Meta është shkarkuar nga Kuvendi si President në 9 qershor 2021 për shkeljen e 20 neneve të Kushtetutës si dhe për provokim të cenimit të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa është në prite të vendimit përfundimtar nga Gjykata Kushtetuese.
Meta është izoluar nga SHBA-BE prej 3 vitesh, ka shenja të qarta se mund të shpallet ‘non grata’ nga SHBA si aleati i tij Sali Berisha, ndërsa partia e tij LSI-ja preku fundin në zgjedhjet e parlamentare të 25 prillit 2021, duke mos marrë asnjë mandat deputeti në 9 nga 12 qarqe. Çuditërisht, Sali Berisha dhe Ilir Meta e kishin parashikuar një fund të palavdishëm dhe fatal politik për njëri-tjetrin. Në 5 mars të vitit 2015, Ilir Meta paralajmëronte Sali Berishën se karrierën politike do ta mbyllte si aksioner pularie. Ndoshta Meta ishte i mëshirshëm me këtë parashikim, pasi Berisha po e mbyll karrierën politike si ‘aksioner i LSI-së’.
“Vazhdo! E nise si lider demokracie dhe po e mbaron si aksioner pularie… Ta sqaroj edhe më shumë: mos u bëj pjesë e puçit të pularisë, me Tom Doshin dhe Dritan priftin si aksionerë! Po them këtë në mënyrën më miqësore. Për ty bëj çdo gjë, por jo për Zenin… Të jesh i bindur se do të përfundosh anëtar i partisë së Tomës. Toma e ka gabim që do të bëjë parti të re, të harxhohet kot: ja ku e ka partinë! E ka gati. Patjetër! Me Tomën do të fitoni edhe në Shkodër ju. Mos ki merak… Normal, ju doni ta drejtojë Tom Doshi me Durim Bamin. Normal, ju te partia e Tomës do të përfundoni. Tani që ndërroi versionin, ka kaluar me ju, normale. Është normale kjo”.