Si e gjobiti “Edi” biznesmenin Pëllumb Salillari me 150 mijë euro/ “Mirë shef, si jeni?”

Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç janë tre personat e arrestuar nga Policia dhe që aktualisht ndodhen në masë sigurisë “Arrest në burg”, për shantazhin që i bën biznesmenit të ndërtimit Pëllumb Salillari. Detajet e kësaj dosje janë zbardhur dhe tregojnë si ranë në kurth autorët.



Mbrëmjen e 5 janarit 2023, rreth orës 22:30 të mbrëmjes në aplikacionin “Signal” në telefonin e biznesmenit Pëllumb Salillari, mbërriti një mesazh nga një kontakt me emrin “Edi”.

Sikurse rezulton nga dosja hetimore e zbardhur nga News 24, Salillari i është përgjigjur pas disa minutash me fjalët “Mire shef si jeni?”, duke treguar se e ka njohur dërguesin e atij mesazhi. Pas përgjigjes, kontakti me emrin “Edi” ia kthen “Doja me të thënë dicka, por po i them dikujt tjetër”.

Këtu, Pëllumb Salillari kupton se po tentonin ta mashtronin dhe vendosi të njoftonte Policinë dhe të rrëfente gjithçka po i ndodhte. Nga hetimi rezultoi se shtetasit Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç kishin mundur të ndërhynin në rrjetin Signal dhe t’i shkruanin biznesmenit të njohur. Këto mesazhe atij i shfaqeshin me dërgues kontaktin me emrin “Edi”.



Në fakt, në të vërtetë bëhej fjalë për një numër anglez që personat e përdornin për të zhvatur para nga biznesmenë të ndryshëm. Policia i kërkoi Salillarit të vijonte bisedën dhe të linte takim me personat që i shkruanin.

Salillari i shkruan më tej tekstshkruesit: Më thuaj të lutem pa problem.

Personi i shkruan: Ia jep dot robit 150 000 euro dhe rregullohemi.

Për të bërë të mundur arrestimin e mashtruesve Salillari udhëzohet të lërë takim me ta. Me vendim të Prokurorisë së Tiranës u tërhoq nga llogaria e Ministrisë së Brendshme shuma prej 150.000 eurosh, brenda së cilës u vendos GPS për ta gjurmuar.

Në momentin e takimit, sikurse ishte lënë mes palëve, në shtëpinë e biznesmenit Pëllumb Salillari mbërrin një person dhe merr lekët. Kur të dyshuarit po largoheshin, Policia ndërhyri dhe bëri arrestimin në kushtet e flagrancës, bashkë me paratë që sapo kishin marrë.



Pas arrestimit, në shtëpitë e autorëve Jasmin Pepaj, Rezart Pepaj dhe Sherif Kadroviç janë kryer kontrolle dhe u gjetën shuma të konsiderueshme parash, mbi 120.000 euro, të cilat të dyshuarit nuk i justifikojnë dot dhe ka dyshime se këtë aktivitet kriminal e kanë kryer edhe ne raste të tjera.

Author: morevesh