Duke synuar që të ndalojë ngacmimet seksuale në administratën publike, qeveria e Kosovës ka ndërmarë një hap ligjor në këtë drejtim.
Nëse i thuani koleges apo kolegut në vendin e punës “Shume bukur po dukesh”, shoqëruar me një shikim provokues, apo nëse i thua “çka po hanë se të është bërë trupi xix” te pret pushimi nga vendi i punës.
Këso komente apo pyetjesh ndodhin thuajse çdo ditë në administratën shtetërore të Kosovës, por të cilat janë të papranueshme tash e tutje për Qeverinë e Kosovës.
Para dy ditësh, qeveria ka miratuar një dokument i cili quhet “Politika kundër ngacmimit seksual në organet e administratës publike të Republikës së Kosovës”.
Ndonëse, nuk ka përmendur shembuj konkretë që nuk mund të thuhen brenda ambientit të punës, qeveria ka vendosur disa terme që janë të ndëshkueshme.
Nëpërmjet këtij dokumenti, Qeveria po synon se të gjithë të punësuarit në organet e administratës publike duhet të kenë trajtim korrekt dhe në përputhje me ligjin, ndaj sipas saj, nuk do të lejohet kurrfarë diskriminimi i drejtpërdrejt apo i tërthortë në bazë të gjinisë apo orientimit seksual.
Më këto politika, qeveria po synon që të mbrojë barazinë gjinore dhe trajtim të barabartë.
Lajmi.net e ka parë këtë dokument, i cili është i ndarë në 9 nene.
Më qëllim të zbatimit të kësaj politike, qeveria ka vendosur edhe disa terma shpjegues në këtë dokument, sipas të cilit janë të ndëshkueshëm.
Sipas këtij dokumenti Ngacmim seksual nënkupton çfarëdo forme të sjelljes së padëshiruar verbale, jo verbale apo fizike të natyrës seksuale dhe/ apo psikologjike, me qëllime apo pasojë apo prekjen të dinjitetit të një personi, dhe krijimin e një mjedisi frikësues, armiqësore, degradues, nënçmues apo fyes. Ngacmimi seksual në vendin e punës i referohet, por nuk kufizohet në format e përcaktuara me këtë polikë:
Quid Pro Qua (këtë për atë) që i referohet çdo premtimi të drejtpërdrejt apo tërthortë të trajtimit preferencial/ të dëmshëm në punësim, ku refuzimi për kryerjen e favoreve seksuale mund të shkaktojë mos punësim, mos ngritje në pozitë, ngritje të pagës, mos –pagesë.
Ambient armiqësor – krijimi i një ambienti frikësues ose poshtërues që mund të manifestohet përmes gjuhës seksuale abuzive e cila mund t’i bëjë punëtorët të ndihën të poshtëruar dhe të diskriminuar.
Ngacmimi verbal – përfshinë por nuk kufizohet vetëm në: komente, shaka, pyetje provokuese, komente të natyrës seksuale, shprehje fyese, epitet poshtëruese, formime nënçmuese ose shpërdorime tjera verbale.
Ngacmime jo verbale –përfshinë por nuk kufizohet vetëm në: gjeste provokuese me levizje dhe prekje provokuese të pjesëve të ndryshme të trupit të vet.
Ngacmim vizual- përfshinë por nuk kufizohet vetëm në: ekspozim të reklamave, fotografive dhe shenjave pornografike, vizatime ose komente seksuale për veshjen, stolitë apo trupin e një individi.
Ngacmimi psikologjik- përshinë por nuk kufizohet vetëm në: ftesë për intimitet fizik seksual, presionet për të pranuar ftesa shoqërore, për takime private dhe lidhje seksuale, pyetje apo diskutimet për aktivitete seksuale, ftesë për intimitet fizik seksual. Kërkime dhe këmbëngule/ shantazhe dhe favore seksuale të përcjella më kërcënime ose kushtëzime të dukshme lidhur me vendin e punës, ftesa të pa dëshiruara shoqërore me ngjyrime seksuale që shpesh shfaqen si filtrime. Kërkesat e tërthorta për qëllime seksuale, paraqitje jo e drejtë e punës së dikujt apo vlerësimit jo i drejtë I punës së dikujt, mohim i trajnimeve apo ngritjes në detyre.
Ngacmimi fizik – përfshinë: përpjekjen fizike, pickimet, puthjen, prekjen e rrobave, përkëdheljen dhe fërkimet e trupit të personit tjetër.
Sipas qeverisë, ngacmimi që ka shkaktuar ofendime, konsiderohet edhe atëherë kur është i pa qëllimtë.
Kush mund të jetë viktimë e ngacmimit seksual?
Sipas dokumentit të qeverisë, ngacmimi seksual mund t’i ndodhë të gjithëve, pavarësisht gjinisë së tyre apo orientimit seksual. “Megjithatë, praktikisht të prekurit nga ngacmimet seksuale janë kryesisht gratë dhe vajzat”.
“Viktimat po ashtu mund të jene të gjinisë së njëjtë ose të kundërt. Viktima nuk mund të jetë vetëm personi i ngacmuar, por kushdo që është i/e prekur nga sjellja ofenduese dhe provokuese. Ngacmuesi mund të jetë mbikëqyrës/ e i/ e viktimës, koleg, punonjës. E,i/e administratës publike ose palë e tretë”.
Personi që ngacmohet, siç përkufizohet në këtë politikë, nga një person tjetër në vendin e punës ose në aktivitete për rreth punës, duhet që t’i tregojë sa më parë udhëheqësit/es së tij direkt, udhëheqësit/es më të lartë nëse udhëheqësit direkt është ngacmuesi/ja apo menaxherit/es të personalit.
Qeveria ka paraparë që të bëjë edhe fushata informuese lidhur më këto politika të ndërmarra që parashihini parandalimin e ngacmimit seksual në vendin e punës.
Nga ana, tjetër Avokati i popullit vitin e kaluar ka pranuar disa ankesë për ngacmime seksuale në venin e punës.