Asnjë neozelandez i lindur pas vitit 2008 nuk do të mund të blejë cigare sipas ligjit të ri të propozuar në vend.
Qeveria e Zelandës së Re ka arritur të krijojë një plan unik, sic e përshkruan ajo, për t’i dhënë fund duhanpirjes me premtimin e një ndalese të përjetshme për personat 14 vjeç apo më të rinj.
“Ne duam të sigurohemi që të rinjtë të mos e nisin kurrë duhanin”, tha ministrja vendase e shëndetësisë, Dr Ayesha Verall. Sipas ligjit të ri që pritet të miratohet vitin e ardhshëm, mosha minimale e personave që mund të blejnë cigare do të rritej vit pas viti. Kjo nënkupton se 65 vjet pas hyrjes në fuqi të ligjit, qytetarët mund të blejnë cigare nëpër dyqane, por duhet të dëshmojnë se janë të paktën 80 vjeç.
Plani synon që deri në 2025-sën, konsumues të duhanit në vend të jenë më pak se 5 për qind të qytetarëve. Ndërkohë do të lejohet shitja e produkteve të duhanit me nivele të ulëta të nikotinës. Sipas ligjeve aktuale, në Zelandën e Re lejohen të blejnë duhan personat mbi 18 vjec. Të dhënat tregojnë se numri i duhanpirësve atje ka ka rënë gjatë viteve të fundit dhe vetëm 11% e të rriturve vazhdojnë të pijnë duhan./Top Channel