Nga Adriatik Doçi
Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë finalizuar aleancën pesëvjeçare mes tyre, duke zyrtarizuar një koalicion parazgjedhor, për të sfiduar Lulzim Bashën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022. Berisha dhe Meta kanë vendosur që të emërojnë koalicionin ‘Shtëpia e Lirisë’, emër që rezulton i kopjuar bashkë me logon, pasi kanë marrë ‘copy paste’ emrin dhe logon e koalicionit të Qendrës së Djathtë në Itali, e drejtuar nga Silvio Berlusconi, ‘La casa delle liberta’, që do të thotë “Shtëpia e Lirisë”. Megjithatë, kopjimi mund të jetë njolla më e zbehtë e koalicionit.
“Shtëpia e Lirisë” mund të konsiderohet si ‘Shtëpia e Krimit’ nëse i referohemi kësaj videoje që Raport Tv sjellë në kujtesë të publikut. Videoja i përket seancës parlamentare të datës 5 mars 2015, ku Berisha dhe Meta akuzonin njëri-tjetrin me për vrasje dhe korrupsion. Duke e konsideruar si ‘kokë e qelbur’, Sali Berisha i kërkonte Ilir Metës që të jepte dorëheqjen si kryetar Kuvendi dhe të paraqitej në prokurori për akuzat për porositjen e vrasjes së ish deputetëve Tom Doshi dhe Mhill Fufi. Berisha i kërkonte Metës të mos qëndronte në krye të Kuvendit me votat e krimit.
Shatë vjet më vonë, Berisha është bashkuar me Ilir Metën, duke kërkuar votat e tij të krimit, tashmë për të rrëzuar Lulzim Bashën dhe sfiduar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi e shpallën non grata për korrupsion madhor, shantazh ndaj drejtësisë dhe minim të demokracisë në Shqipëri.
Ndërsa Berisha kishte pushtuar foltoren e Kuvendit me grupin e deputetëve të tij, Ilir Meta iu përgjigj duke e goditur Berishën në pikën e tij më të dobët, tek Shkëlzeni.“Përgjigja ime, doktor, është kjo: për ty bëj çdo sakrificë, por për Shkëlzen Berishën e kam dhënë dorëheqjen një herë. Nuk e jap dy herë dorëheqjen për Shkëlzen Berishën! Ta sqaroj edhe më shumë: mos u bëj pjesë e puçit të pularisë, me Tom Doshin dhe Dritan priftin si aksionerë! Po them këtë në mënyrën më miqësore. Për ty bëj çdo gjë, por jo për Zenin”, shprehje Meta.
Ndërsa Berisha vijoi akuzat, Ilir Meta i përmendi për herë të parë Berishës një video të Shkëlzen Berishës. Meta zbuloi edhe një sekret, teksa tha se Shkëlzeni ishte në videot e Dritan Priftit, video e cila ishte parë nga Berisha. Shantazhi ishte i qartë dhe serioz. Berisha e mori mesazhin, dhe për të shpëtuar Shkëlzenin dhe veten e tij nga zbulimi i një tjetër skandali të mundshëm, mbylli gojën. Marsi i vitit 2015 shënon edhe përplasjen e fundit mes Sali Berishës dhe Ilir Metës. Ata nisën të flirtojnë që në korrik të vitit 2016 për të sabotuar reformën në drejtësi, ndërsa u bashkuar hapur në fund të vitit 2017.