Të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të marrin lejen e qëndrimit në afat 5-vjeçar së bashku me lejen e punës në Shqipëri, vetëm me një aplikim të thjeshtë.
Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi duhet shtuar se kjo do të nënshkruhet të premten në takimin e përbashkët të mes dy vendeve.
“Sot, miratuam një nga marrëveshjet që do të nënshkruajmë të premten mes Shqipërisë dhe Kosovës që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektivë. Është lajm i mirë për shtetasit e Kosovës që do të marrin thjesht me një aplikim lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe leja e punës”, tha Çuçi.
“Është lajm i mirë edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë që do të marrin leje qëndrimi me procedura të thjeshtuara. Është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”, ka shtuar ai.
I pyetur në lidhje me marrëveshjen me Britaninë dhe mundësinë e ndërtimit të një kampi refugjatësh në Shqipëri, ai mohoi një gjë të tillë.
“Nuk do të ketë kampe refugjatësh për interesa të vendeve të tjera në Shqipëri është thënë qartë nga kryeministri Edi Rama, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ministri i Drejtësisë, si dhe është thënë qartë edhe nga ministri i Brendshëm. Ai është një përcaktim që edhe kur kalojnë tranzit nuk do të qëndrojnë në Shqipëri, por janë të detyruar vendet e origjinës të përgjigjen për ata emigrantë dhe azilkërkues. Është e kundërta e asaj që thuhet në media”, ka përfunduar Çuçi. /Telegrafi.com