Shqipëria feston sot 109-vite nga krijimi i shtetit. Më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali ngriti flamurin në Vlorë duke shpallur Shqipërinë shtet sovran dhe të pavarur. 28 Nëntori njihet ndryshe edhe si Dita e Flamurit, një ditë e rëndësishme për mbarë shqiptarët në trevat shqiptare dhe anembanë botës.
Në festimet e sotme në Vlorë dhe në Tiranë apo në qytete të tjera të vendit pritet që të kenë shumë shqiptarë nga Kosova dhe trevat e tjera.
Në mbledhjen e ditës së enjte të 2 qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë, u vendos që në kufirin mes dy vendeve do të ketë lehtësim qarkullimi sidomos pikën kryesore të kalimit të dy vendeve tona, në Morinë. Dy ministritë e Brendshme kanë rënë dakord për një sistem monitorimi të pikave doganore me kamera pa kontrolle fizike duke e bërë kufirin krejtësisht fluid. Një sistem kamerash do të vendoset në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim.
Ky është viti i tretë radhazi që vendi nuk e feston me të gjitha aktivitetet që meriton këtë ditë. Kjo për shkak të pandemisë dhe masave anti COVID në këto 2 vitet e fundit, ndërsa në vitin 2019 për shkak të tërmetit të 26 nëntorit që mori jetën e 51 qytetarëve.
Pak histori.
Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali njoftoi gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, u njoftuan edhe shtetet ballkanike: Rumania, Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia e Turqia, duke u kërkuar njohjen e pavarësisë, si rrjedhojë e natyrshme e vullnetit të popullit shqiptar. Më 28 Nëntor, Ismail Qemali u shpall kryetar i Kuvendit dhe kryetar i parë i qeverisë së shtetit shqiptar. Pavarësia u shpall për të gjitha trojet shqiptare dhe ministrat u zgjodhën nga të gjitha krahinat shqiptare. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës./Shqiperia ime.com.al