Shkrimtar nuk të bëjnë kritikat e paguara. (Intervistë me shkrimtarin e mirënjohur Zotin Odise Plaku)

Shkrimtar nuk të bëjnë kritikat e paguara.

 

Jam i lumtur kur kam marrë duartrokitjet e 300 të pranishmëve në sallë

 

Odise Plaku tashmë është një emër që gjallon në botën e artit dhe të kulturës, me atë qetësinë e tij duke fituar dashurinë dhe respektin e lexuesve. U bënë vite që ai jep kontribute në lëmi të ndryshme të krijimtarisë dhe me hovin që merr duket se nuk do të ndalet ndonjë herë. Përkundrazi, duket sikur është në fazën e flakës së emocionit dhe krijimtarisë.

Z. Plaku, ju falënderoj për gatishmërinë për të qenë e kësaj interviste në Portali Shqiptar për të rrugëtuar së bashku në vitet e krijimtarisë suaj artistike. Ka një fillesë që mund të përmendet në jetën tuaj.

Unë ju falënderoj gjithashtu që të jemi së bashku në këtë bisedë. Në lidhje me pyetjen tuaj ju tregoj që lidhja krijimtari dhe Odise ka nisur në mënyrë të rastësishme. Kanë qenë mësuesit e gjuhës dhe leximit që pasi

kanë pikasur tek unë bulëzat e artit dhe dëshirën p[ër të krijuar më përfshinë në rrethin jashtë shkollorë të krijimtarisë poetike.

Prej aty nga viti në vit merrja një formë dhe shtrihesha në krijimtari. U shndërrova në një nxënës të dashur për shokët kur kishim hartime dhe unë në fshehtësi përgatitja disa hartime radhazi. Por mësuesit kishin filluar ta shihnin dorën time në shumë punë dhe më tërhoqën mënjanë dhe më këshilluan të isha më i drejtë.

Megjithatë edhe bënin sikur nuk e kuptonin ndonjëherë.Në fakt kam qenë një nxënës i dashur jashtë mase nga mësuesit e mi në të gjitha nivelet e edukimit shkollor dhe studentor. Dhe atë dashuri të tyre e kam thyer në respekt për figurën e tyre. Shpesh i kujtoj me dashuri dhe mall.

Qëndrojmë në fillesat e krijimtarisë suaj. Si nisi?

Në fakt nëse shumica e kanë nisur me poezi botimet unë e kam nisur me vëllimin me tregime Lotin nuk e fal. Kanë qenë vitet pas 1990 dhe tregu ka qenë i etur për botime dhe unë e kam ribotuar këtë vëllim në gati 3000 kopje. Pas këtij vëllimi vazhdoi novelë përralla Qullaci me ilustrime të mjeshtrit Saimir Strati që edhe kjo vepër njohu sukses dhe lexueshmëri të madhe.

Me sa kemi parë ka një ndërthurje të gjinive në krijimtarinë tënde. Përse nuk jeni i fokusuar vetëm në një gjini?

Është mëse e vërtetë që veç poezisë dhe prozës, letërsia për fëmijë është bërë pjesë e pandashme e jetës sime dhe nuk kam ndërmend të heq dorë asnjëherë nga kjo gjini. E shihni në çfarë realiteti jetojmë? Fëmijët janë të bombdarduar nga fenomene dhe dukuri të tmerrshme. Fëmijët po humbasin fëmijërinë dhe manipulojnë veten e tyre mes internetit e mjetet të tjera që sjellin pasoja të parikuperueshme.

Ne kemi nevojë për letërsi që të sjelli mesazhe dhe ide dhe jo ngjyra dhe boshësi në përmbajtjen  e tyre. Unë jam mbështetur në traditën e bukur të krijimtarisë letrare dhe jam duke ecur në këtë rrugë dhe duke e pasur këtë traditë më elemente të reja moderne, me fjalorin e kohës.

Por është për të ardhur keq që kjo lloje letërsie ka fare pak mbështetje, vëmendje veç me dy tituj në vit botimin nga institucionet e kulturës.

Jeni shpesh herë fitues i konkurrimeve në takimet poetike. Dhe janë gati 20 cmime të fituara. Cilat janë çastet më të bukura të këtyre garimeve .

Në fakt çdo botim ka vlerat e tij. Por ato emocione që kam jetuar në takimet poetike janë më shumë se një botim. Do të tregoj një rast të fundit në Kukës në takimet poetike kur interpretimi im është shoqëruar me duartrokitje. Emocionuese dhe e dëshiruar kur zëri yt bëhet pjesë e dashurisë së të pranishmit. KA qenë takimi poetik në Gjakovë organizuar nga Klubi Letrar ”Gjon Nikoll Kazazi” ku u shpalla fitues i cmimit ”Ali Podrimja”, i edicionit të 52 -të të poezisë  me

poezinë ”Numëratori i dhimbjes” kushtuar jetëve të zhdukura në Gjakove. Mbi 1600 te pafajshem te zhdukur nga barbaria serbe. Dhimbje qe nuk tretet!

Ka qenë takimi në Prizren në një miting poetik kushtuar figurës së Inbrahim Rugovës kur 300 të pranishëm më rrëmbyen me emocionet e duartrokitjet e tyre. Ka qenë një mbrëmje në Prizren ku në kuadër të veprimtarive të panairit të librit miku im Osman Goranci më fton, por ajo mbrëmje me kërkesë të të pranishmëve më rikthen në emocionet e trekëndëshit poetik disa vite më parë në Gjilan me një poezi kushtuar babait tim.

Po kështu jam ndjerë mirë në krijimtarinë timë në prozë, por edhe në dramë, monodramë e komedi. Kam pasur fatin e madh të bashkëpunoj me emra të mëdhenj të skenës Hajrie Ronde Zamira kita, Ilirjan Aliu, Bruno Shllaku, etj. nga Shqipëria, me Mentor Zymberaj dhe Teuta Sadiku nga Prishtina, me Alban Gashin e Lavdim Dushi në Klinë. Etj, etj.

Kanë qenë disa vepra për të rinjtë të vëna në skenë dhe që më kanë mbushur me plot emocion. Sot mungon kjo dashamirësi e drejtorëve të teatrove për të vënë në skenë vepra shqiptare. I

kam me raste konkrete kur regjisori shprehet i gëzuar që ka në dorë një vepër të mirë dhe rend nëpër bashki për ta vënë në skenë. Por dyert vazhdojnë të mbeten të mbyllura.

Sa e rëndësishme është pjesa e kritikës për ju?

Është mendimi më me vlerë që duhet të jetë i pranishëm në çdo autor, për çdo krijues. Por unë nuk bëjë pjesë në atë grup njerëzish që paguajnë emra të njohur për të marrë një kritikë, që i nxjerrë si talentet e letërsisë shqiptare. Mua më duhet lexuesit,. Mendimi i tyre.

E kam ndërtuar në mënyrën time marrjen e kritikës dhe kurrë nuk botoj pa kaluar në disa duar redaktimi dhe marrje mendimi.

Gjithsesi do të vazhdoj të shkruaj dhe do të sjell më të mirën e pasionit dhe zemrës sime.

Ju falënderoj që ndamë së  bashku këto mendime.

Më poshtë ju ftojmë të shikoni krijimtarinë e të larmishme  të Odise Plakut.

ODISE PLAKU
Poet, prozator, publicist, dramaturg

Vepra të luajtura në skenë:

“Klithma e një nëne të marrë” – monodramë, vënë në skenë në teatrin “Bylis”, Fier, me aktoren Hajrie Rondo, 2006.
“Ylli i mëngjesit” – dramë, vënë në skenë në teatrin “Migjeni”, Shkodër, 2009.
“Velloja e bardhë” – monodramë, vënë në skenë në teatrin “Andon Zako Çajupi”, Korçë, me aktoren Zamira Kita, 2008.
“Flakët e shpirtit” – dramë, vënë në skenë në teatrin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, qershor 2010.
“Të rendësh i lirë” – dramë për fëmijë, 2009.
“Moonlight” – film me metrazh të shkurtër, skenarist, 2007.
“Fëmijët e ndrojtur” – komedi, vënë në skenë në teatrin “Metropol”, Tiranë, 2014.
“Amaneti” – monodramë, vënë në skenë në teatrin “Petro Marko”, Vlorë, 2015.
“Fëmijët e ndrojtur” – komedi, vënë në skenë nga Teatri i të Rinjve të Prishtinës, 2016.
“Klithja” – monodramë, Instituti Ndërkombëtar i Teatrit Kosovë, gusht 2016.
“Amaneti” – dramë, vënë në skenë në teatrin “Migjeni”, Shkodër, 2017.
“Pak gjumë, o njerëz” – monodramë, vënë në skenë në teatrin “Osman R. Gashi, Klinë (Kosovë), prill 2018.

Botime:

“Qullaci” – novelë-përrallë për fëmijë, 1999
“Lotin nuk e fal” – vëllim me tregime për të rritur, 1995
“…dhe gjethet bien…” – vëllim me poezi për të rritur, 2005
“Kthimi i Samantës” – vëllim me tregime dhe novela, 2005
“Kur qeshen ëndërrbukurat” – novelë për fëmijë, 2009
“Zhguni i Gjinkallëdredhakut” – novelë për fëmijë, 2011
“Udhëkryq” – novela, 2015
“Breshka e Krislit” – novelë për fëmijë, 2015
“Tri ndodhitë e Orikut” – novelë për fëmijë, 2017
“Puthje të mbetura në ajër” – poezi, 2017
“Të rendësh i lirë” – novelë për fëmijë, 2019
“Kalërim në taken e ëndrrës” poezi 2020
“ Djaloshi i ëndrrës së blertë “ novelë për fëmijë 2021
Çmime letrare:

Çmimi i parë në konkursin e tregimit (me tregimin “Dyluftim nën hënën mashtruese”), organizuar nga revista “Obelisk”, Tiranë, 23 janar 2010
Çmimi i parë “Xhemal Doda” në poezi, Prizren, 2015
Çmimi i parë në tregim “Pena e flakës”, Gjilan, 2016
Çmimi “Ali Podrimja”, Gjakovë, 2016
Çmimi i dytë në “Takimet poetike në Sharr”, Tetovë, 2018
Çmimi i tretë në “Takimet e diasporës”, Podujevë, 2018.
Çmimi i parë në “Pena e flakës” në tregimin me shifër, Gjilan, 2019
Çmimi i dytë “Flakadani i Karadakut”, 2019
Çmimi i parë “Kultura na bashkon”, Preshevë, 2019
Çmimi i tretë “Në prehër të Gjalicës”, Kukës 2021 /PortaliShqiptar.com./

Author: admin