“SHKOLLA SHQIPE “SCANDERBEG” NË PARMA TË ITALISË”
Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë dhe mësuese pranë kësaj shkolle, rrëfen për “Diellin” e Vatrës në New York historinë e themelimit të shkollës, organizimin e mësimit shqip në Parma, bashkëpunimin prindër-nxënës, ndikimin e pandemisë në mësimin shqip, dhe sfidën për të ruajtur gjuhën, traditën dhe kulturën kombëtare shqiptare në Itali. “Themelimi i Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma erdhi si një dëshirë e madhe që kishin shqiptarët për t’i mësuar gjuhën amë fëmijëve të tyre, ndërsa shkolla fillimet e saj i ka që në vitin 2009” shpjegon për “Diellin” Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg”. “Mësimi në shkollën tonë zhvillohet të shtunën në orën 15:00. Mes shumë viteve sakrificë stafi i mësuesve në shkollën tonë vazhdon të japë kontributin vullnetar në shërbim të komunitetit shqiptar” saktëson drejtuesja Pjeci. Mësuesit e angazhuar pranë shkollës shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë janë: Durim Lika në lëndën Histori- Gjeografi, Elvira Lashi- Muzikë, Traditë, Mimoza Cerri- Letërsi, Sabrije Kulla- Gjuhë Shqipe, Zamira Shkurti- Abetare, Nertila Celmeta- Abetare, Erlinda Pjeci- Abetare, Elona Marika- Mësuesja e artit. Në këtë shkollë kanë kontribuar edhe mësues të tjerë ndër vite të cilët edhe pse nuk janë më pjesë e stafit të shkollës kanë dhënë një kontribut në zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhës amtare.
“Për të njohur kulturën, historinë dhe vlerat e Shqipërisë duhet t’ia përcjellim gjuhën amtare të trashëguar brez pas brezi, fëmijëve tanë. Gjuha ,është ajo e cila i bashkon ata me gjakun e tyre” shpjegon për “Diellin” e Vatrës në New York, Erlinda Pjeci, drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg”. Sipas drejtueses Pjeci bashkëpunimi prind- nxënës është padyshim çelësi i arritjes së suksesit në objektivin e gjuhës shqipe. Prindi ka rolin më të rëndësishëm në këtë proçes. Është ai i cili duhet t’ia ushqejë fëmijës dashurinë për rrënjët nga vijnë, t’i flasë në shqip, t’i japë kohë fëmijës që të dëgjojë, të mësojë dhe të flasë shqip kur ata janë gati. Pra, mbill sot, korr mot. Vetëm atëherë nxënësi është i përgjegjshëm dhe ka dëshirë të mësojë më tepër gjuhën shqipe, arsyeton drejtuesja e shkollës Pjeci.
“Në fillimet e pandemisë padyshim ne si shkollë hasëm vështirësi. Mësimi në prezencë ishte e pamundur. Për këtë sfida më e madhe ishte mësimi online. Duke parë vështirësitë që hasën edhe mësuesit e sistemit shkollor italian, na frikësoi jo pak. Por me ndihmën e kolegut tonë Durim Lika, i cili ofroi seminare për të na mësuar platformat e Google Meet, Power point, si edhe ambientet e punës së tij për të qenë pranë nesh për ndonjë vështirësi teknike, e kaluam shumë shpejt. Sfidë tjetër ishte ajo, se si ne mund t’i bënim nxënësit të merrnin pjesë me dëshirë në mësimin online. Për këtë përveç librave në dispozicion gjetëm teknika, metoda duke i gërshetuar së bashku. Pjesëmarrja e lartë e nxënësve na lumturonte.
Kjo tregonte që ne kishim gjetur rrugën e duhur. Suksesi që ne patëm vjet, si edhe numri i madh i nxënësve të regjistruar që banojnë jashtë Parmës, na dha shtysë edhe për këtë vit shkollor që mësimin ta bënim online” kujton vështirësitë e mësimit shqip në kohë pandemie drejtuesja Erlinda Pjeci. Më tej ajo shton se: “Vështirësitë e fëmijëve dy gjuhësh janë: Shqiptimi i tingujve të shkronjave shqipe që ata nuk i dëgjojnë në gjuhën italiane. Tingujt që janë të ngjashëm midis dy gjuhëve por që shkruhen ndryshe” sqaron për “Diellin” e Vatrës drejtuesja e shkollës Erlinda Pjeci. Zonja Pjeci ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Elbasanit dega Cikël i Ulët. Pas studimeve ajo u vendos në qytetin e Parmës ku shumë shpejt filloi të japë kontributin e saj vullnetar në mësimdhënie pranë shkollës shqipe “Scanderbeg”. Duke pasur një dashuri shumë të madhe për fëmijët dhe formimin e lartë profesional, profesionin e ushtron me shumë përgjegjshmëri, përkushtim dhe shumë pasion. Në përfundim të bisedës drejtuesja e Shkollës Shqipe “Scanderbeg” në Parma të Italisë, Erlinda Pjeci uroi Festën e Pavarësisë për të gjithë komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në mbarë trojet shqiptare.Nga Sokol Paja./gazetadielli