Janë zbardhur detaje të reja nga plagosja e dyfishtë e regjistruar paraditen e sotme në lagjen Nr.3, para katedrales “Shën Luçia” në qytetin e Durrësit, pas një sherri me armë të ftohta mes adoleshentëve.
Burime bëjnë me dije se protagonistë të ngjarjes kanë qenë dy djemtë e identifikuar si Xheson Metushi (18 vjeç), nga qyteti i Lushnjës dhe 19-vjeçari nga Durrësi, Bekim Gripshi.
Shkak për përplasjen midis të rinjve mësohet se ka qenë debat që ata kanë pasur në rrjetin social TikTok disa ditë më parë, ku kanë shkëmbyer mesazhe fyese dhe kanë lënë datën e sotme për t’u takuar dhe sqaruar mes tyre.
Debati ka nisur në rrjetin social “Tik-Tok” për një postim të bërë nga një prej tyre dhe fatkeqësisht përfundoi sot me përdorimin e kaçavidës dhe thikës nga dy djemtë që plagosën njëri-tjetrin.
Të pranishëm në momentin e sherrit kanë qenë dy grupe djemsh. Sipas dëshmitarëve, në vendngjarje kanë qenë 6 adoleshentë dhe pas një konflikti verbal, sherri ka degjeneruar deri në përplasjen fizike mes Metushit dhe Grifshit.
Pas plagosjes, njëri nga të rinjtë e ka hedhur kaçavidën në kazanin e plehrave, ku është gjetur nga specialistët e kriminalistikës. Ndërkohë thika që është përdorur nga një tjetër adoleshent nuk është gjetur ende.
Nga burime policore mësohet se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Durrësit. Ndërkohë, në vendngjarje mbetën njollat e gjakut dhe sende personale të adoleshentëve të përfshirë në konflikt.