I dërguari i presidentit Joe Biden për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka dhënë një tjetër shuplakë Sali Berishës, ndërsa ka dhënë një intervistë për Reporteri.net.
Ai thotë se Partia Demokratike nuk mund të ketë fytyrën e një njeriu të shpallur non grata nga SHBA dhe nëse Berisha vjen në krye të PD, s’duhet pritur që SHBA të ketë marrëdhënie normale me PD.
E kemi parë që ShBA-ja ka vënë sanksione ndaj politikanëve, biznesmenëve dhe mediave në vendet në rajon. A mund të presim që edhe në Kosovë do të ketë sanksioneve ndaj politikanëve, biznesmenëve dhe mediave?
Si praktikë standarde, nuk i parashikojmë veprimet sanksionuese. Megjithëkëtë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk i sanksionojnë individët apo entitetet për pikëpamjet e tyre politike. Për më tepër, nëse dikush është apo jo politikan, biznesmen ose gazetar, nuk ka rëndësi nëse do të sanksionohen apo jo. Individët sanksionohen për veprimtari kriminale, jo për shkak të profesionit të tyre. Sanksionet e fundit janë vënë ndaj aktorëve, të cilët me veprimtaritë e tyre korruptive i kanë destabilizuar komunitetet lokale, kanë gërryer besimin në qeveritë lokale dhe kanë zvogëluar prosperitetin rajonal.
Korrupsioni është plagë – jo vetëm në Ballkan, por nëpër tërë botën. Siç ka thënë presidenti Biden: “Korrupsioni është si kanceri. Është si kanceri që gërryen besimin e qytetarëve në demokraci, zbeh instinktin për inovacion dhe kreativitet; zvogëlon buxhetin tashmë të vogël kombëtar, duke penguar investimet e rëndësishme kombëtare. Shkatërron talentin e gjeneratave të tëra. I frikëson investimet dhe vendet e punës”. Për këtë arsye jemi të vendosur për promovimin e llogaridhënies dhe luftimit të pandëshkueshmërisë për ata që janë përfshirë në korrupsion të madh në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë botën. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përdorin të gjitha veglat në dispozicion, përfshirë sanksionet, për të ndëshkuar aktorët e këqij dhe destabilizues dhe organizatat dhe bizneset që i mbështesin ato.
Vendimi i administratës së Biden-it për sanksionimin e ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës, e ka shtyrë këtë parti në krizë të thellë. Berisha po pretendon eliminimin e kryetarit aktual, Lulzim Basha dhe rikthimin e tij në krye të partisë. Cili do të jetë qëndrimi amerikan nëse demokratët shqiptarë të vendosin ta ndjekin këtë rrugë?
Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale.