“Sëmundja” e Luizit s’mund te lërë në hije Alda Klosin, a do të dalë e vërteta e 400 mijë eurove pa pronar?

Luiz Ejlli trazoi opinionin publik mbrëmjen e djeshme me deklaratën e tij se rrëfimi që i bëri moderators Kiara Tito nuk ishte i vërtetë.

Disa ditë më parë në bisedë e sipër, Luizi i rrëfeu Kiarës se vuante nga një sëmundje e rrallë e cila mund të kurohej vetëm në 11 klinika në botë.

Por mbrëmjen e djeshme, gjatë spektaklit të BBV ai pranoi se rrëfimi ishte për një shok dhe jo për të. Për të qenë transparentë me publikun, Ejlli u dërgua në QSUT ku bëri analizat e nevojshme të cilat rezultuan të gjitha në rregull.




Prej dy ditësh opinioni publik po përpiqet t’i japë përgjigje pyetjes: Gënjeu apo jo Luizi?

Por një ngjarje tjetër më e rëndësishme duket se po lihet në hije.

Vjedhja në shtëpinë e ish-zyrtares së kryeministrisë Alda Klosi dhe 400 mijë eurot e gjetura në shtëpinë e Rozeta Rakupllarit alias Dobit të mbetura ende “jetim.” Pastruesja jo vetëm e vodhi,por edhe e la të zbuluar para drejtësisë që tashmë po i verifikon pasuritë.

Alda Klosi, ish-zyrtarja e koncensioneve në Ministrinë e Ekonomisë, mësohet se është zënë në vështirësi kur është marrë në pyetje nga prokurorja që po ndjek rastin për burimin e pasurisë dhe shumën e vjedhur.

Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim kryesisht për akuzën e “Fshehjes së të ardhurave” dhe “Mos deklarim të pasurisë” pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive në Tiranë.




Askush tjetër nuk i pretendon 400 mijë eurot, të cilat u zbuluan nga përgjimet ambientale të nënë e bir Rozeta dhe Havier Dobi, ndërsa ishin të shoqëruar në komisariatin nr 2 si të dyshuar për vjedhjen.

Klosi denoncoi vetëm vjedhjen e 120 mijë eurove të cilat tha se i kishte të deklaruara, shkruan Albeu.com.

Pra pyetja që duhet të mundojë shqiptarët është: Kush është pronari/pronarja e 400 mijë eurove?

Deklaratat e dyshimta të Alda Klosit

Ish-zyrtarja Alda Klosi, në banesën e së cilës dyshohet se u vodhën mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollarë rezulton të ketë dhënë dy deklarime të ndryshme në polici mbi paratë që ajo kishte në shtëpi.

Më 15 dhjetor, ditën kur ka ndodhur vjedhja e denoncuar në polici, Klosi ka deklaruar se nuk kishte patur sasi të mëdha parash. Sipas proceverbalit të deklarimit të saj, Klosi është shprehur se përveç bizhuterive, nga kontrolli paraprak ka konstatuar se i mungonte edhe një sasi parash për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme.




Ndërsa, pas arrestimit të Rozeta Dobit, e cila punonte si pastruese tek banesa e ish zyrtares, në një deklarim të dytë, Klosi është shprehur se “gjatë kësaj kohe ka menduar me qetësi për sendet që ka patur dhe se ditën e ngjarjes i janë vjedhur një shumë në valutë të huaj më shumë se 120 mijë euro, si dhe një shumë prej 30 mijë dollarësh”, të cilat ajo ka shpjeguar se ia kishte lënë xhaxhai.

Kontradikta në dy deklarimet ngre një sërë pikëpyetjesh, pasi duket e vështirë, që një person, që ka në banesë një sasi kaq të madhe parash, të mos ketë konstatuar mungesën e tyre, aq më tepër, kur sipas deklarimeve të djalit të pastrueses, nëna e tij kishte marrë të gjithë kasafortën. Pikëpyetjet shtohen edhe nga fakti se deklarimi i shumës së vjedhur është bërë vetëm pas arrestimit të autorëve të grabitjes, gati 3 javë pas ngjarjes dhe jo më parë.

Klosi ka mbuluar funksione të larta në administratë, si ish drejtoreshë e koncensioneve në ministrinë e Financave para disa vitesh dhe deri në korrik të 2022, shefe e kabinetit të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, për të kaluar më pas në Autoritetin e Mbikqyrjes Finaciare.

Author: morevesh