Rrëfimi i gazetarit për përjetimin e tërmetit në Turqi/ “Prindërit u zgjuan të tmerruar, u përplasa në dysheme”

Rrëfimi i gazetarit të CNN, Eyad Kourdi për përjetimet e tij dhe të familjes gjatë tërmetit me magnitudë 7.8 në Gaziantep të Turqisë:



“Ishte ora 04:15 e mëngjesit kur prindërit e mi u zgjuan të tmerruar duke bërtitur, ndërsa toka u drodh poshtë nesh. Unë iu thashë atyre që të fshiheshin. ‘Do të mbarojë shpejt, do të mbarojë shpejt’, ju thoja aty edhe pse mua më dukej sikur nuk do të mbaronte kurrë. Në fillim nuk isha shumë i shqetësuar. ‘Është thjesht një tjetër tërmet i vogël, si ato që ndjejmë çdo dy muaj këtu’, mendova. Por vetëm pak sekonda më vonë, lëkundjet u ndjenë aq shumë sa mobiljet po binin dhe unë mund të dëgjoja objektet duke u përplasur. Dukej sikur dikush po përpiqej të më rrëzonte dhe më pas u përplasa në dysheme nga lëkundjet. Dridhja vazhdoi. Kaluan shumç çaste para se të ndalonte përfundimisht.

Ne dolëm me vrap nga shtëpia, me pizhame dhe pantofla. Ishte i ftohtë shumë dhe binte shi. Kishte borë në tokë. E gjithë lagjja ishte në rrugë.

Njëzet minuta më vonë, ashtu siç menduam se mund të kishte mbaruar, erdhën pasgoditjet e para. I numërova, ishin 11, njëra pas tjetrës.



U ktheva me nxitim brenda për të kapur disa pallto dhe çizme të përshtatshme dhe hipëm në makinë për të lëvizur në një zonë të hapur, larg ndërtesave. Dëgjova ambulanca dhe kamionë zjarrfikës që po shkonin në qytetin e vjetër, i cili është plot me struktura më të vjetra dhe më të brishta.

Pasgoditjet vazhduan edhe gjatë ditës. Disa ishin jashtëzakonisht të fortë. Njëra goditi kur isha pranë një ndërtese të madhe të dëmtuar rëndë. Një zyrtar i mbrojtjes civile u tha të gjithëve që të vrapojnë.

Më vonë, shkova me makinë në Pazarcık, një qytet me 35,000 banorë që është më afër epiqendrës. Ka të paktën një ndërtesë të shkatërruar plotësisht në çdo rrugë.

Qëndrova në Pazarcık për 30 minuta dhe në atë kohë të shkurtër ndjeva katër pasgoditje. Nuk më dukej e sigurt të qëndroja, kështu që u ktheva me makinë në Gaziantep. Atëherë toka filloi të dridhej përsëri. Të gjithë dolën me vrap nga makinat e tyre. Lëkundjet ishin aq të forta sa mezi po qëndroja në këmbë.



Ne jemi të strehuar brenda një xhamie në Gaziantep ku është më e sigurtë se në shtëpinë tonë. Punonjësit e komunës kanë shpërndarë ujë, bukë dhe oriz të ngrohtë. E di që do të ishte më e sigurtë po të qëndronim jashtë në rast se do të ketë më shumë pasgoditje, por temperaturat janë shumë të ulëta dhe prindërit e mi nuk mund të qëndrojnë në ambient të hapur.”

Author: morevesh