Rëndohet bilanci i aksidentit tragjik që ndodhi pasditen e sotme në aksin Milot-Rubik në Rrugën e Kombit. Pas 3-vjeçarit që humbi jetën në vend nga përplasja ka ndërruar jetë edhe i ati, Shkurt Prenga.
Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të banorëve që ndodheshin në vendin e ngjarjes dhe transportit me shpejtësi drejt spitalit ai nuk ka mundur që të mbijetojë si pasojë e plagëve të shumta në trup.
Por si ndodhi aksidenti?
Në aksident u përfshinë një makinë tip “Opel” ku ndodhej fëmija që ndërroi jetë me prindërit, “Benz”-i që shpërtheu në flakë dhe një makinë e tretë pësoi dëme të lehta.
Gazetari i “ABC” Gjergj Figuri mëson nga grupi hetimor se paraprakisht dyshohet se ishte “Opeli” që u fut në parakalim të gabuar duke i shkuar përballë “Benz”-it.
Drejtuesi i “Opel”-it që ndërroi jetë në spital dyshohet se në momentin që u fut në parakalim si pasojë e shpejtësisë dhe lagështirës në rrugë e humbi kontrollin e makinës.
Përplasja ishte fatale për fëmijën që ndërroi jetë në vend. Në pamjet e siguruara nga gazetari i “ABC” Gjergj Figuri, qytetarët që ndodheshin në vendin e ngjarjes hapën me forcë derën e pasme të “Opel”-it që u bllokua dhe i dhanë ndihmën e parë, por fëmija vdiq.
Pak minuta më pas ndërroi jetë në spital edhe i ati. E ëma e fëmijës ndodhet në spitalin e Lezhës. Drejtuesi i makinës tjetër tip “Benz” që u përfshi nga flakët dhe u shkrumbua totalisht në Spitalin e Traumës në Tiranë.