Epo ka edhe futbolli shqiptar rekordet e tij. Por… për keq!
Shqipëria ka zyrtarisht dy rekorde absolute në futbollin botëror. Së pari, ka Skënderbeun e dënuar me 10 vite pezullim dhe kjo nuk i kishte ndodhur kurrë një skuadre që luan në Europa League.
Rekordi i dytë u vendos sot në Kamëz, aty ku dy futbollistë shqiptarë kanë marrë kartonë të kuq që në dhomat e zhveshjes, pa filluar ndesja. Kjo është e paprecedentë.
Pa nisur ndeshja, një problem në dhomat e zhveshjes mes Didës te Kastrioti dhe Bajramit te Skënderbeut, ka bërë që Juxhin Xhaja të nxjerrë kartonin e kuq dy herë.
Ende pa dalë skuadrat në fushë, arbitri ndëshkon dy lojtarët pas sherrit të tyre, duke u bërë protagonist me vendimet e tij, por nuk kishte rrugë tjetër.
Ndeshja më pas nisi me nga 11 lojtarë për secilën skuadër. Skënderbeu aktivizoi Marën, ndërsa Karakaçi zbriti në fushë te Kastrioti. Ishin zëvendësime të pritshme dhe logjike.
Sipas rregullores, pa nisur ndeshja dy skuadrat mund të aktivizojnë nga një lojtar. Kjo lejohet, meqë kartonët janë marrë pa zbritur në fushë. Supersport transmetoi pamjet dhe u pa e gjithë situata.