Kryeministri Edi Rama ka folur për reformën në drejtësi duke thënë se pengohet e sulmohet çdo ditë nga mëngjesi në darkë, por e vijon punën.
Në një komunikim live në facebook, me rastin e 11 vjetorit nga protesta e 21 janarit ku humbën jetën 4 protestues, Rama foli edhe për SPAK duke e cilësuar si foshnje që ka nisur të belbëzojë.
Ndër të tjera theksoi se është rihapur çështja e Gërdecit, ndaj po bëhet një gur themeli në aspektin e vënies së drejtësisë.
Rama: Pse është një ditë më e mirë? Se nuk jemi më në kushtet kur ishim të etur dhe nuk kishim asnjë gur themeli, ishim në ajër mbi një kënetë, sot kemi bërë një gur themeli. Sot është rihapur Gërdeci, një nga dy kapakët e vrasjeve shtetërore, dy tragjedi që ndodhën për shkak të korrupsionit të krimit shtetëror.
Nga drejtësia e kalbësirave që po pastrohet nga vetting është rihapur dhe po hetohet nga SPAK-u. SPAK nuk është FBI, as një strukturë e jashtme në vende ku funksionojnë prej kohës kur ne flasim këtu s’kishim lindur akoma, por është foshnje që ka nisur të belbëzojë, të japë shenjat e para.
E pra, ka rihapur Gërdecin dhe jam i bindur që “drejtësia vonon, por nuk harron” sot ka kuptim, duan apo s’duan se nuk ka një tjetër rrugë. Unë i kuptoj të gjitha akuzat, të gjitha teoritë e konspiracionit sepse padurimi dhe padrejtësia ka krijuar një terren shumë pjellor për të gjitha këto, aq më tepër që Reforma në Drejtësi sulmohet, pengohet e sabotohet nga mëngjesi në darkë, por vijon.