Rama sulmon Metën dhe Berishën para ambasadorëve: Figurat më të dyshimta të së shkuarës gjejnë ende guximin të bëjnë kërcënime me sfurqe apo rikthime në skenë

Kryeministri Rama sulmoi Presidentin Meta dhe ish-kreun e PD-së, Sali Berisha, se bëjnë kërcënime groteske në emër të pastërtisë dhe dinjitetit.

Gjatë fjalës së tij në darkën tradicionale të Vitit të Ri me ambasadorët e akredituar në Shqipëri, Rama doli për progresin e Reformës në Drejtësi. “Të marrim Reformën në Drejtësi. Bëmë gjithçka u desh për të nisur Reformën e Drejtësisë pas 25 vitesh dështim.

E bëmë me një angazhim të palëkundur, duke marrë përsipër të gjitha kostot në një mjedis armiqësor e herë-herë edhe të rrezikshëm politikisht, duke u përballur me kundërshti edhe brenda ish-koalicionit tonë. U premtuam njerëzve se sistemi i ri i drejtësisë që sjell drejtësi për të gjithë, më në fund po vjen dhe unë ende e besoj fort që është kështu.

Por duhet kohë, shumë më tepër kohë se sa koha që fluturon në mënyrë të pamëshirshme, e kësisoj ndërkohë rezultatet vijnë thjesht shumë ngadalë për njerëzit e këtij vendi, të cilët kanë pritur pafund që të jetojnë në një vend ku gjithkush është i barabartë përpara ligjit.

Duhet durim, shumë më tepër se sa i ka mbetur këtij kombi, ndërkohë që figurat më të dyshimta të së shkuarës, gjejnë ende guximin të bëjnë kërcënime groteske me sfurqe apo rikthime në skenë, në emër të sovranitetit, dinjitetit, pastërtisë”, tha Rama.

 

Author: morevesh