Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka thënë se ka kërkuar nga Ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës, në mënyrë që qytetarët kosovarë të kenë drita gjatë dy ditëve të festës së Vitit të Ri.
Rama tha se është duke e ndjekur me shqetësim krizën me energji elektrike në të cilën po kalon Kosova.
“Duke e ndjekur me shqetësim krizën e rëndë energjitike që ka prekur Kosovën kërkova sot nga ministria e Energjisë të vlerësojë çdo mundësi ndihme për qeverinë e Kosovës, që familjeve në Kosovë të mos u mungojë energjia elektrike në dy ditët e festës popullore të ndarjes së viteve”, shkruan Rama në Tëitter.
Ai tha së Shqipëria për vete nuk e ka të lehtë përballjen me krizën që ka pushtuar gjithë Evropën, porse është në gjendje të ndihmojë Kosovën për dy ditë.
“Shqipëria s’e ka aspak të lehtë mbrojtjen e vijueshme të familjeve e sipërmarrjeve të vogla nga dallga e tërbuar e krizës energjetike që po kërcënon çdo vend, por në sekëlldira të mëdha apo në gëzime popullore siç është Viti i Ri, ne s’mund të mos e ndajmë me Kosovën aq sa kemi”, tha Rama.
Kosova ka disa ditë që është duke u përballur me krizë energjetike.
Për shkak të kësaj krize energjetike nga e mërkura e 22 dhjetorit, qytetarët po përballen me reduktime të energjisë elektrike. Reduktimet u udhëzuan nga Operatori i Sistemit dhe Tregut – KOSTT, për shkak të mbingarkesës në sistem.
Fatura e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet për 7 për qind në muajt e ardhshëm. Një rritje të tillë e ka kërkuar Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS).
Situata energjetike është përkeqësuar pasi konsumi i energjisë nuk po mund të mbulohet me kapacitetet prodhuese të Korporatës Energjetike të Kosovës.
Sipas zyrtarëve të Kompanisë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS), Kosova aktualisht prodhon 600 deri në 800 megavat rryme në orë, kurse konsumi ka arritur deri në 1,400 megavat në orë.