Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me rritjen e çmimeve në vend.
Në një postim në Facebook, Rama shprehet se pavarësisht se çmimi i energjisë në treg është rritur, në vendin tonë ai vazhdon të jetë i njëjtë pasi Qeveria ka vendosur mburojë mbi faturat. Ndër të tjera ai thekson se lufta po i ngre “zgupthi” çmimet, prandaj duhet të kuptojmë se nuk po jetojmë në kohë normale.
“E mirëkuptoj tërësisht stresin e madh të kësaj kohe, prandaj u them të gjithë atyre që pa dëgjuar e as lexuar reagojnë mbrapsht:
QEVERIA KE VENDOSUR MBUROJË FINANCIARE MBI FATURËN E ENERGJISË PËR FAMILJARËT DHE BIZNESIT E VOGËL dhe prej disa muajsh kostoja rritet si pasojë e krizës, çmimi në faturë jo!
LUFTA PO i NGRE ZGUPTHI ÇMIMET! Sot energjia na kushton 61 lek për kilovat, FAMILJET VAZHDOJNË TË PAGUAJNË 9.5 Lek! Pyesni, shikoni çfarë bëhet në vendet fqinje dhe mos duartrokisni, po vetëm kuptoni se nuk jetojmë në një kohë normale, e cila kërkon kurajo dhe dinjitet.”- shkruan Rama.
Më herët kryeministri paralajmëroi se çmimi i energjisë në tregun evropian do vazhdojë të rritet, teksa theksoi se mund të kapë shifra të çmendura si 1000 euro për një kw.