Rama reagon për vjedhjen në banesën e zyrtares së lartë/ “T’u shkohet deri në fund historive të ulëta me para të pista”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar për ngjarjen ku nënë e bir vodhën 120 mijë euro nga shtëpia e Alda Klosit, ish-drejtoreshë e kabinetit të ish-zv.ministrit Arben Ahmetaj.



Në një postim në Twitter, Rama tha se forcimi i institucioneve ligjzbatuese po nxjerr në pah edhe llumin e administratës publike.

Sipas tij, fakti që këto raste bëhen publike tregon se mburoja e vjetër politike ka rënë. Ai shton se këtyre raste duhet t’i shkohet deri në fund dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt.

Postimi i Edi Ramës në Twitter:

Nuk e di kur do ta kuptojnë disa që Reforma në Drejtësi dhe forcimi i institucioneve ligjzbatuese bëhen pikërisht për të pastruar llumin! Prandaj kur del llumi falë punës së këtyre institucioneve, s’duhet harruar se këto janë provat e vullnetit tonë kundër korrupsionit!

E thënë ndryshe, në një kohë tjetër policia apo drejtësia nuk ia nxirrnin kurrë lakrat në shesh njerëzve të veshur me kostum zyrtar, ndërsa sot kohët ndryshojnë përditë për mirë edhe në këtë drejtim! Sepse sot vullneti politik është i plotë dhe mburoja e vjetër politike ka rënë!



Unë uroj vetëm që t’u shkohet sa më shumë deri në fund historive të ulëta me para të pista dhe forca e ligjit të mos ndalojë përpara askujt, kur faktet provojnë se është shkelur ligji për përfitime të paligjshme, nga kushdoqoftë

Author: morevesh