Presidenti rus Vladimir Putin, ka kërcënuar SHBA dhe shtetet e tjera që do të përpiqen të ndërhyjnë në Ukrainë, duke thënë se vendi i tij është “një nga fuqitë bërthamore më të fuqishme”. Në orët e para të mëngjesit të sotëm raketat ruse janë lëshuar mbi Kiev dhe zona të tjera të Ukrainës.
Mesazhi i Putin është i qartë dhe i drejtpërdrejtë për fuqitë ndërkombëtare.
“Kushdo që përpiqet të na pengojë, e lëre më të krijojë kërcënime për vendin tonë dhe popullin e tij, duhet ta dijë se përgjigja ruse do të jetë e menjëhershme dhe do të çojë në pasojat që nuk i keni parë kurrë në histori”, ka thënë ai, raportojnë mediat ndërkombëtare, transmeton newsbomb.al.
Presidenti rus u kërkoi ushtarakëve ukrainas që “menjëherë të ulin armët dhe të shkojnë në shtëpi”.
Duke kujtuar fuqinë e madhe me armë bërthamore, Putin paralajmëroi se “askush nuk duhet të ketë dyshime se një sulm i drejtpërdrejtë ndaj vendit tonë do të çojë në shkatërrim dhe pasoja të tmerrshme për çdo agresor të mundshëm”. Ai theksoi se Rusia është “një nga fuqitë bërthamore më të fuqishme dhe gjithashtu ka një avantazh të caktuar në një gamë të armëve më të fundit”.
Putin njoftoi operacionin ushtarak pasi Kremlini tha se rebelët në Ukrainën lindore i kërkuan Rusisë ndihmë ushtarake për të ndihmuar në shmangien e “agresionit” ukrainas, një njoftim që Shtëpia e Bardhë tha se ishte një “flamur i rremë” nga Moska për të ofruar një pretekst për një pushtimin.
Presidenti i Ukrainës disa orë para sulmeve tha se vendi i tij donte paqe, transmeton newsbomb.al.
“Populli i Ukrainës dhe qeveria e Ukrainës duan paqen”, tha Zelenskyy në një fjalim emocional gjatë natës, duke folur në rusisht në një thirrje të drejtpërdrejtë për qytetarët rusë. “Por nëse sulmohemi, nëse përballemi me një përpjekje për të marrë vendin tonë, lirinë, jetën tonë dhe jetën e fëmijëve tanë, ne do të mbrohemi. Kur të na sulmoni, do të shihni fytyrat tona, jo shpinën.”