Pas ngjarjes së rëndë ku roja i godinës së “TCH” mbeti i vrarë nga sulmi me kallashnikov, “CNa” ka publikuar dokumentet që tregojnë se “Top Channel” është shitur në janar të këtij viti.
Bëhet fjalë për një procedurë shitjeje të miratuar nga aksionerët, çuar në Belize, vend i njohur si një nga parajsat fiskale.
CNA sjell dy dokumentet e shitjes së televizionit kombëtar të familjes Hoxha.
Dokumenti i parë është një vendim i aksionerëve i datës 14 janar, i firmosur nga e gjithë familja Hoxha. Konkretisht për shitjen e televizionit kanë rënë dakord dhe kanë firmosur Vjollca Hoxha, Lorela Hoxha, Sara Hoxha, Itan Hoxha dhe Redia Hoxha.
Familja Hoxha i ka shitur 100% të aksioneve kompanisë “Western Media Conglomerate Investments LTD” me një çmim prej 9 milionë eurosh.
Dokumenti i dytë është një vendim i kompanisë në Belize me përfaqësuese Neidy Leoneli Gonzalez, drejtore e vetme e “Western Media Conglomerate Investments LTD”.
Ky vendim që CNA e publikon sot për herë të parë me dokumente ekskluzive nuk shfaqet në faqen zyrtare të QKB-së.
Shitja më parë ka pasur edhe një ndryshim të statutit të kësaj kompanie për të emëruar administratorin me 75% të aksioneve.
Shitja ka ndodhur në momentet kur në Gjykatën e Tiranës pritej të zhvillohej gjyqi për aksionet e “Top Channel”.
Përplasjet dhe gjyqet për aksionet e “Top Channel” kanë vazhduar prej disa vitesh mes familjes Hoxha dhe bashkëpunëtorëve e bashkortakëve të të ndjerit Dritan Hoxha./ CNA