Pse armiku i shqiptarit është shqiptari?

Gati nuk ka ditë që ne, shqiptarët, nuk përjetojmë strese, të cilat na e prishin ditën dhe na cytin të merremi me to…

Thuajse shokohemi përditë me intervista të ndryshme, me fjalë e deklarata të ndryshme, me veprime të ndryshme, të cilat jo rrallë na i kujtojnë fjalët e intelektualëve të mëdhenj shqiptarë, si: Fishtës, Konicës, Nolit, të cilët thoshin se armiku i shqiptarit është shqiptari. Athua, çka i bëri të jetojnë të zhgënjyer këta kolosë të kombit tonë?

Dhe, gjithherë dhe sot, populli po bie e po është viktimë e politikave të pangopura për pushtet.

Më pëlqyen fjalët e një miku se kosovarët nuk bashkohen në mbrojtje të shtetit, por janë në luftë për pushtet. Kriza nuk jep shanse të ndërpritet kjo dukuri.

Përkundrazi, ajo po merr përmasa të një tragjedie qytetare.

Qofsha i gabuar!

*

Një vend si yni, ku ka kuptim soll pushteti, por jo edhe shteti, zor e kanë të na ndihmojnë edhe ata që kanë vullnet të mirë për ta bërë këtë.

Mbase është e njohur maksima se çdokujt mund t’i marrësh me dhunë gati çdo gjë, por askujt nuk mund t’i japish me dhunë asgjë.

Kështu, ne vazhdojmë të jemi shembull i keq në rajon.

Numri i madh i ministrave, i zëvendëskryeministrave dhe i këshilltarëve politikë, janë dëshmi se, vërtet, këtu nuk mendon kush për shtet, por vetëm për pushtet.

Në këto rrethana është edhe e pandershme të fajësohen ndërkombëtarët.

Faji është edhe i yni.

*

Jo një lexues, më shkruan: “Mirë që ju të “Kosovares” nuk na lodhni me politikë, tema të ngarkuara, të rënda…

Boll e kemi të rëndë, të zorshme, të ngarkuar të përditshmen – me shumë të papunë, me shumë të varfër, me jetë të vështirë, me jetë të shtrenjtë…”.

*

Dy vetë bisedojnë teksa rrinë pranë një tavoline.

Është keq të përgjohet, por fjalët e tyre më nxitën të bëhem kureshtar i bisedës së tyre:

– S’kam bërë asnjë sy gjumë!

– Pse?

– U ktheva vonë nga Turqia…

– As unë s’kam mundur të fle!

– E ti, ku, kah ishe?

– Unë askund.

Por, s’munda të fle, duke u brengosur për të nesërmen.

Ku të gjej ndonjë punë ta fitoj kafshatën për fëmijët…

*

Nëse doni të zbuloni se ç’është të jesh i lumtur, shikoni ndonjë lule, zog apo fëmijë…

Ato janë fotografi autentike të kësaj mbretërie, ngase ata jetojnë nga çasti në çast në të tashmen e amshuar, e cila nuk ka as të kaluar, e as të ardhme.

Ata i janë kursyer ndjenjës së fajit dhe brengave, të cilat aq thellë i mundojnë qeniet njerëzore dhe plotësisht janë të thelluar në gëzimin origjinal të jetës që nuk e gjejnë vetiu, por në vetë jetën…

Gani Dili

Author: admin