Nga protesta e parë, pas Kuvendit të 11 dhjetorit dhe referendumit për shkarkimin e Bashës, Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se protesta të tjera do të pasojnë deri në largimin e atij që ish-kryeministri e quan narkoshtet.
“Betohemi se nuk do të ndërpresim kurrë protestën deri sa regjimi të vendoset para ligjit dhe ne si shqiptarë të votojmë të lirë për veten dhe vendin. Ne këtu jemi mijëra qytetarë të lirë. U mblodhëm me një thirrje të shpejt. Në dy muaj arritëm të rimëkëmbim monumentin e pluralizmit që e mori peng Rama. Ky uragan nuk ndalet më. Prandaj e paralajmëroj Ramën: mos guxo t’i dalësh para. Mos mendo se me pakicë do të shtypësh shumicën. Ne nuk ka forcë që na ndalon. Ju ftoj të qëndrojmë të vendosur për serinë e pafundme të protestave të tjera deri sa ta çlirojmë Shqipërinë nga narkoshteti”, u shpreh Berisha.
Përsa i përket çështjes së inceneratorëve, Sali Berisha u shpreh se afera prej 430 milionë euro e firmës së Edi Ramës nuk mund të mbyllet me 3 milionë euro të vjedhura nga Lefter Koka.
“Afera e inceneratorëve është vetëm 1/10 se aferat të cilat në 8 vite bën 8.2 miliardë dollarë të vjedhur nga Edi Rama dhe ministrat e tij. Këto 8 vite ne u vodhëm dhe u plaçkitëm më shumë se të gjithë qytetarët e botës. Këto 8 vite pasuria publike u kthye në pasuri të ministrave kleptokratë. Afera 3 mln euro e djegësit të Elbasanit është një kafe mëngjesi për narkoqeveritarët. Lefter Koka është vetëm një hajdut i dobishëm. Paratë i dispononte firma e Edi Ramës me lejtnant Arben Ahmetaj. SPAK-ut që Lulzim Brava po i thur apoteoza kërkon t’i verë kapak aferës prej 430 milionë me 3 milionë euro të vjedhura”, përfundoi Berisha.