Programi i PD, Basha: 110 mijë vende të reja pune, paga minimale 36 mijë lekë

Partia Demokratike prezantoi sot programin ekonomik.
Lulzim Basha u angazhua për të zhdukur varfërinë me politika dhe program të mirëfilltë ekonomik, për t’iu ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Brenda mandatit të parë, tha Basha, varfëria në vend do të ulet me 50%.

Kreu i PD akuzoi kryeministrin Edi Rama se nuk mbajti premtimet me të cilat erdhi në pushtet, ndërsa shtoi se ai vetë nuk do të bënte premtime të bujshme të cilat mbeten të parealizueshme.

“Rama dështoi. Ofroi botën, por nuk ofroi asgjë. Ka ardhur koha ta largojmë këtë qeveri dhe të sjellim një qeveri që kujdeset për njerëzit dhe jo për veten e saj. Sot nga kjo foltore unë mund t’jui premtoj 500 mijë vende të reja pune, pagë minimale 500 euro, por këtë nuk mund ta bëj.

Objektivi ynë parësor është dyfishimi i të ardhurave për frymë. Ne angazhohemi të zhdukim varfërinë ekstreme, nuk do të ketë familje shqiptare që të vuajë për bukën, ujin dhe dritat. Do dyfishojmë ndihmën ekonomike për familjet në vonë.

Mandatin e parë varfëria do të ulet me 50%.

Javët në vijim, shpalosja e ofertës tonë do të bëjë të qartë kategori për kategori, familje për familje, për çdo fashë të ardhurash, profesione, moshë – benefitet direkte të këtij programi për ju dhe familjet tuaja.

Shtresa e mesme është motori i ekonomisë. Një shtresë e mesme e fortë është garante për stabilitetin ekonomik dhe politik. Përfitimi do të ndihet nga çdo shqiptar, një Shqipëri e të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm e 10 vetave, siç është sot”, u shpreh Basha.

Hapja e 110 mijë vendeve të reja të punës, rritja e pagës minimale në 36 mijë lekë në muaj dhe rikthimi i taksës së sheshtë 9%, janë tre premtimet e forta të kryedemokratit.

Qeveria e re, tha Basha, që në ditën e parë do të heqë taksën “Rama”, 24 lekë të reja për çdo litër karburant, e cila automatikisht sjell uljen e çmimit të naftës.

Premtim tjetër i Bashës ishte edhe ulja e çmimit të energjisë elektrike si dhe rritja e pensioneve me 5% çdo vit.

“Angazhimi ynë i parë është hapja e 110 mijë vendeve të reja të punës. Do të përmirësojmë klimën e biznesit, të sipërmarrjes dhe biznesit shqiptar, por edhe për biznesin e huaj. Angazhohem të rris pagën minimale në 36 mijë lekë të reja në muaj. Do të mbështesim dhe ndihmojmë të gjithë punonjësit dhe të vetëpunësuarit. Përmes masave fisklae dhe ekonomike do të garantojmë konkurrueshmërinë e punëdhënësve, duke bërë të mundur që të gjithë të dalin të fituar. Taksë 9% për sipërmarrjet me xhiro vjetore mbi 14 mln lekë të reja. Taksë të sheshtë 9% për pagat mbi 30 mijë lekë të reja. Vendimi i parë i qeverisës së re do të jetë heqja e taksës “Rama”, 24 lekë të reja për litër për karburantet. Angazhohem për të ulur çmimin e energjisë elektrike dhe karburantit. Rrisim pensionet jo më pak se 5% në vit“, vijoi kryedemokrati.

Ky program, tha Basha, do të jetë baza e punës së qeverisë së ardhshme, nëse opozita do të vijë në pushtet.

“Këto nuk janë më premtim mashtrime, që aq shumë ju kanë zhgënjyer, ky është plani ynë i punës, Shqipëria fiton, shqiptarët fitojnë”./korrieri.al

Author: admin