“Një nga liderët socialist pritet të shpallet non grata dhe të arrestohet para zgjedhjeve lokale të 14 majit.”
Kështu është shprehur juristi Kreshnik Spahiu mbrëmjen e sotme.
Me këtë deklaratë ai iu referua edhe intervistës së mbrëmshme të ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila tha se zyrtarë të lartë nuk flenë dot nga frika se do të shpallen non grata apo do të shkojnë në burg.
“Në bindjen time do të ketë një arrestim të balancuar, që do të thotë edhe për hir të një balance politike do të ketë arrestim të zyrtarëve të lartë socialistë edhe të politikanëve të lartë nga opozita. Unë kam bindjen dhe mendoj se e lexoj ndër rreshta ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” u shpreh Spahiu.
Ai tha në Euronews se një nga arsyet pse Kim nuk deklaron një kufi të fundit të mandatit të saj është sepse duhet të përmbyllë një mision.
Spahiu u shpreh se pa u arrestuar zyrtarët e lartë që ata i quajnë “peshqit e mëdhenj” të politikës, por dhe pa u përmbyllur lista e zezë e personave non-grata, Yuri Kim nuk do të largohet.