Marjeta Ljarja një aktoret më të dashura për publikun, një nga emrat e vlerësuar të filmit shqiptar ku me rolet e saj ka dhuruar jo pak emocione në kinematografinë shqiptare. Dekada pranë filmit, por me angazhime të ndryshme dhe në skenën e teatrit, sot aktorja Marjeta Ljarja kur flet për jetën e saj artistike, thekson gjithmonë punën dhe pasionin. Për aktoren e njohur, sot vështirësitë në jetën artistike nuk janë të pakta, ndërsa shpreh keqardhjen që artin e shikojnë gjithmonë të fundit kur flitet për investime dhe vëmendje nga shteti.
Në këtë intervistë, aktorja flet për teatrin dhe kinematografinë shqiptare sot, që sipas saj shumë pak mundësi ka dhe për të rinjtë që janë të talentuar. Prej disa vitesh aktorja e njohur i ka munguar teatrit dhe filmit, por siç pohon dhe vetë një rol e mirëpret me shumë dëshirë nëse e mbush artistikisht. Roli i parë i aktores Marjeta Ljarja në kinematografi do të jetë ai i Donikës në filmin “Në pyjet me dëborë ka jetë”.
Në Festivalin e VII-të të Filmit Shqiptar në prill të vitit 1987 u vlerësua me Kupën e Festivalit si Aktorja më e mirë për rolin e Zanës në filmin “Fillim i vështirë”. Për meritat e saj artistike Marjeta Ljarja është nderuar me titullin “Artiste e Merituar”. Në teatër përmendim shfaqjet si “Cuca e Maleve”, “Këmbanat e muzgut”, “Gjashtë personazhe kërkojnë autor” të Luixhi Pirandelos, etj.
Në aktivitetin tuaj të përditshëm jeni me angazhime të ndryshme, por si po kalojnë këto ditë për ju, stina e pranverës? Mezi e pres pranverën, sikur dhe shpirti gjallërohet. Pas pranverës vjen vera, ka bukurinë e saj, vjen vjeshta, dimri sërish, por pranvera është plot gjallëri.
Ashtu si dhe shumë artistë të tjerë, nuk munguat dhe ju në takimin që u zhvillua në Teatrin Kombëtar me Pirro Manin. Në vlerësimin tuaj si qëndron regjisori Pirro Mani? Ishte një lajmërim shumë i thjeshtë, ku ne do të takonim profesor Pirron. I thashë, që patjetër do jem në këtë takim. Ishim prezent të gjithë, jo nga një detyrim, jo nga një apel, jo nga një servilizëm, por ishte një dashuri që ai e ka mbjellë tek ne tepër natyrshëm. Unë kam qenë vajzë e re kur erdha në teatër, dhe kur për herë të parë më besoi diçka edhe sot kur e kujtoj më duket çudi, mënyra se si të bënte kompletin për atë që punoje, të krijonte një besim shumë të madh tek vetja.
Por fatkeqësisht unë punova pak me të, sepse ishte dhe periudha që isha dhe e aktivizuar shumë në kinema, por ato pjesë që kam punuar me të nuk kam për ti harruar kurrë. Ai këtë shihte, që të krijonte një besim që ti je një artist, të thoshte fjalën dhe komplimente, sa ti rrije e shikoje dhe mendoja vërtetë i meritoj këto gjëra. Nuk kam për ti harruar fjalë për fjalë komplimentet tij, mënyrën se si nga ajo jetë e stërlodhur si grua në ato momente me dy fëmijë të vegjël, detyra të tjera, kur punoje me Pirro Manin si regjisor harroje gjithçka, kishe një vetëbesim.
Artin e bën vetëm shpirti. Sa vështirësi kemi pasur ne kur flasim për atë kohë të magjishme kur bënim artin me Pirro Manin, sa ju do kujtoni se ne i zmadhojmë, dhe kurrë nuk na kanë bërë përshtypje vështirësitë, por kemi punuar me orar pa orar, me kohë pa kohë. Pra vështirësi ka pasur dje, ka sot, do ketë dhe nesër.
Në art sot spikasin sot më shumë aktorët e para ’90 kur flitet për vlerësime në teatër dhe filma. Pse ndodh kjo? Nuk është faji i aktorëve sot. Nëse teatri dhe kinemaja janë një art kolektiv, që nuk varen nga individi, është një drejtim që pa pasur dashamirësinë si institucion, nuk mund të bëjë dot gjë individi. Ne kemi periudhën e monodramave, u kthye i gjithë teatri, të gjithë aktorët ngaqë të gjithë akumulonin brenda vetes dhe nuk kishin mundësi për ti shprehur, menduan po bëj një monodramë që të kem mundësi dhe në një festival për tu paraqitur jashtë vendit. Ju thoni që vlerësohen shumë aktorët para ‘90, por kjo sepse ka mbetur pasioni.
Nëse thoshte regjisori do ta kalojmë dhe njëherë këtë skenë, të thoje jo se mbarojnë provat në orën 1, nuk njihej kjo batutë. Pra ka qenë më shumë drejtimi me dashuri dhe pasion. Pra gjithçka me pasion mbetet, dhe spektatori pa i ditur këto prapaskena, di ti vlerësojë këto gjëra kur dalin në skenë.
Por unë nuk mohoj që sot ka aktorë të pasionuar dhe të talentuar, megjithatë drejtimi ndoshta nuk është thjesht për mua në dorë të një drejtori teatri. Është politika, por edhe më larg, janë shumë gjëra që po ti shohësh me dashamirësi të japin zgjidhje. Nuk është politikë e individit drejtues, nuk është mungesa e dëshirës së aktorëve, por janë problemet që ju përmenda.
Ju folët për teatrin, por edhe filmi ka qenë jo pak i diskutuar? Është një temë shumë e gjerë, nuk thuhet me dy fjalë, sepse mund të lëndosh pa dashje, mund të nënvleftësosh pa dashje. Gjithsesi kur flasim për filmin, nuk është vetëm buxheti problemi. Unë jam aktore që kam 15 vjet që them të bëj dhe një rol në film edhe pa asnjë shpërblim mjaft të ngopem artistikisht. Ne kemi parë dhe filma që vetë ata që i quajmë baballarët e filmit shqiptar, thonë: me kaq buxhet ky film shkëlqeu mbi të tjerët, që kanë shumë më shumë buxhet.
Ka rol në film buxheti, por jo dominant. Por ju them, që po s’u pa me dashuri, edhe filmin nuk mund të zhvillohet. Nëse është dashamirësia për të bërë artin, filmin, teatrin, etj., rrugët gjenden nga shteti. Kemi vajtur mbi 800 mijë banorë Tirana, por ka vetëm një teatër kukullash kombëtar! Çfarë i kushton këtij shteti të ketë në çdo lagje nga miniteatër për fëmijë. Athina ka 50 miniteatro për fëmijë. Sot, ta harrosh që një qeveritar arrin të lexojë intervistën e ndonjë aktori.
Ju folët mbi problemet në art, por jeni një nga aktoret më të vlerësuara në kinemanë shqiptare. Çfarë ndjeni kur shikoni filmat, ku ju keni interpretuar? Çdo film ka të veçantat e veta. Rri dhe kujtoj skenat e xhirimit, kujtoj marrëdhënien e bukur në film me aktorët e tjerë, regjisorin, skenaristin, pra një jetë. Ndërsa sot vetëm rrimë, hamë dhe flemë. Gjynah që është kështu, madje sot ka arritur deri në atë pikë sa po të ndjesh je jashtë orbite, pra nëse ndjen diçka dhe do ta shprehësh diku, thonë e po hë se ashtu flet. Pra janë gjëra që sot kanë humbur shumë në art dhe më vjen keq për këtë.
Keni lozur në filmin “Vajzat me kordele të kuqe” 1978, fatkeqësisht sot një prej filmave të ish Kinostudios, i cili rrezikon të humbasë nëse nuk restaurohet. Ju çfarë kërkoni? Shpresoj ta kenë në vëmendje. Më pëlqen deri tani iniciativa e drejtoreshës së AQSHF, Elvira Diamanti për disa restaurime filmash, dhe besoj se do të bëhet diçka dhe për këtë film.
I keni munguar kinemasë, u bë vite që nga filmi “Koha e kometës” 2007? Pata një rast që do të kisha një rol shumë të bukur, por për çështje partnerësh në film nuk u bë e mundur të isha me rolin. Jo për mosdëshirë të regjisorit, por nuk koordinohesha me partnerin në film.
Po rol në teatër? Jo, jo, asgjë. Pres pensionin tim që vjen pas disa muajsh. Unë po të isha natyrë që kisha pengje, po të isha natyrë që do të luf toja në këtë derë do të kisha gjetur vendin tim, por unë jam natyrë që më pranove mirë, nuk më pranove do ta gjej veten diku. Njeriu është qenie shumë e përshtatshme, vetëm arti nuk merret me zor, sepse po u mor me zor nuk mbetet asgjë tek spektatori. Me regjisorin Met Xhelili kam punuar shumë mirë në shfaqjen “Gjashtë personazhe kërkojnë një autor”, një vepër që më kujtoi kohën kur ne punonim me Pirro Manin.
I ndjek premierat e teatrit? I ndjek premierat dhe ndjej punën që kanë bërë. Dhe kur takoj ndonjë aktor të shfaqjes mund të shkëmbej ndonjë mendim profesional, por në premierë ndjehem gjithmonë mirë. Nuk vij të shikoj çfarë nuk kanë bërë, por çfarë kanë bërë.
Bashkëshorti juaj, Rikard Ljarja gjithashtu një nga emrat më të versuar të teatrit dhe filmit shqiptar. Sa bisedoni mbi artin, ku shkon vëmendje e dy artistëve të njohur mbi problemet në jetën artistike? Nuk janë të pakta bisedat, që ne bëjmë mbi artin, problemet sot. Ku shkon vëmendja? Është keqardhje. Madje mua më vjen më shumë keq për Rikardin, nuk dua që të harrohet. Nuk dua të flas për këtë, por e shikoj si të vetmin regjisor që nuk iu dha e drejta që të shkrepë një herë në këta vitet e demokracisë.
Ka çuar projekte filmi në QKK, por nuk janë aprovuar, është i vetmi aktor që nuk është aktivizuar. E shikoj se çfarë ndodh, dhe nuk e di pse, por ndjej keqardhje si për Rikardin, por dhe për vete. E meta jonë e përbashkët, është se të dy nuk u përshtatëm dot me këtë mënyrë punimi, me projekte private. Ngushëllimi për mua është që si aktore, atë që kam bërë jam përpjekur ta bëj mirë, po mu dha rasti sërish do përpiqem ta bëj mirë. Këtë që s’e kam bërë, nuk varet nga unë. Kur shikojmë ndonjë film të bukur të dy, mendojmë: arti është art. /Intervistoi: Julia Vrapi.