Pas dyshimeve për t’i zbukuruar ose jo sheshet e kryeqytetit, kryetari i Prishtinës vendosi që ta bëjë këtë. Në mesin e zbukurimeve që janë vendosur nëpër sheshet e Prishtinës për festat e fundvitit, te sheshi “Zahir Pajaziti” qëndron i ndriçuar me drita numri 2021, që simbolizon vitin që po vjen. “Prite n’shesh”, Komuna e Prishtinës del blof me zbukurime për vitin e Ri 2021.
Dy fjalë mbi këtë zbukurim paralajmërojnë heqjen e orës policore ose ndoshta shkeljen e masave në natën e ndërrimit të natës së viteve, kur mundësia e përhapjes së virusit është e madhe. “PRite N’shesh”, shkruhet mbi zeron në formë gjysmëhëne, ndërsa nuk dihet nëse kjo është vendosur qëllimisht nga komuna, apo thjesht ka mbetur nga zbukurimet e një viti më parë.
Me masat që aktualisht janë në fuqi, është e ndaluar lëvizja e qytetarëve në mesnatë por edhe rreth mesnatës, kësisoj, nëse ato nuk ndryshojnë, do të jetë e ndaluar që qytetarët ta presin vitin e ri në sheshet e Prishtinës.
Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë lehtësim të masave as për ndërrimin e motmoteve. Lehtësim s’kishte bërë as për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë dhe në Mitrovicën e Veriut./korrieri.al