Prekëse! Pas 261 orë nën rrënoja, burri puth për herë të parë vajzën e porsalindur në Turqi

Episode të lumtura për një familje në Turqi. Mustafa Avcı, i shpëtuar mbrëmë vonë nga rrënojat, për herë të parë puthi vajzën e cila lindi mbrëmjen para se të ndodhte tërmeti. Mbrwmjen e kaluar Bilge Avcı, bashkëshortja e Mustafasë, shtriu në gjoksin e bashkëshortit vajzën 12-ditëshe.




Një natë para tërmetit, çifti ndodhej në një spital privat në Antakya të provincës Hatay, ku pritej lindja e foshnjës së tyre. Lindja ndodhi në ora 23:50 më 5 shkurt sipas kohës lokale. Disa orë më vonë, goditi tërmeti i parë, gjatë të cilit mbeti nën rrënoja Mustafa Avcı. Fatmirësisht, reparti i spitalit ku ndodhej Bilge Avcı bashkë me foshnjën e sapolindur, qëndroi pa u rrëzuar për një kohë, mjaftueshëm që ata të dalin të sigurt nga spitali.

Mbrëmë, 261 orë pas tërmetit shkatërrues, Mustafa Avcı u nxor i gjallë nga rrënojat në një shpëtim që cilësohet si mrekulli. Ai u transferua në një spital në qytetin Mersin, ku në vizitë i erdhën bashkëshortja Bilge dhe foshnja e tyre e lindur disa orë para tërmetit. Duke menduar se familja e tij kishte vdekur, Mustafa Avcı për Anadolu tha se nuk kishte asnjë shpresë dhe madje nuk bëri asnjë përpjekje për të dalë i gjallë nga rrënojat.

I pyetur se si ndihet tani, Mustafa Avcı tha: Është sikur kam lindur sërish.

Bilge Avcı shprehet se ende nuk mund ta besojë që burri i saj është nxjerrë i gjallë nga rrënojat.

“Jam shumë e lumtur. Kishim humbur shpresat. Tani jemi në një pikë ku fjalët nuk mjaftojnë. Vajza ime ishte gjithmonë e buzëqeshur, sikur po thoshte ‘Babai im do të vijë sot'”, tha Bilge Avcı.

Sipas të dhënave të fundit, 39.672 njerëz kanë humbur jetën nga dy tërmete të forta që goditën Turqinë jugore. Tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 të shkallës Rihter, me epiqendra në provincën turke Kahramanmaraş, goditën 11 provinca më 6 shkurt, duke shkatërruar mijëra ndërtesa dhe duke prekur më shumë se 13 milionë njerëz.

Author: morevesh