Për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve në fundjavë, në akset rrugore nacionale, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë.
Në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve policore, kryesisht të Policisë Rrugore, me mbështetje nga Patrullat e Përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”.
Gjatë javës, kanë vijuar kontrollet intensive duke përdorur makinën inteligjente, radarë, dronë, mjete të pauniformuara, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, për parandalimin e aksidenteve rrugore.
Kështu, për ditët e kësaj jave që po lëmë pas, policia bën me dije se nga makina inteligjente dhe radarët janë evidentuar duke qarkulluar me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar, 1779 drejtues mjetesh.
Për 102 prej tyre është marrë masa e pezullimit të lejes së drejtimit nga 1 muaj deri në 16 muaj.
Gjithashtu, në të gjithë vendin, janë ndëshkuar 3987 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.
Janë pezulluar 40 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 14 për qarkullim në sens të kundërt.
Janë arrestuar 40 drejtues mjetesh, nga të cilët 19 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 21 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor.