Ja pra ku u zbulua; politika, më saktë aroma e politikës, është e rëndësishme për martesat. Sipas një studimi, orientimi politik është i lidhur me aromën e trupit. Studiuesit në Brown, Harvard dhe Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë janë përpjekur të verifikojnë nëse është e mundur të dallohet ndryshimi midis erës së një të majti dhe një të djathti. Ideja lindi nga fakti se orientimi politik është faktori që së bashku me fenë, bashkon shumicën e çifteve dhe aroma luan një rol të rëndësishëm në zgjedhjen e një partneri.
Eksperimenti tregoi që subjektet tërhiqeshin më shumë nga erërat e njerëzve me pikëpamje të ngjashme politike. Në një shishe të vogël, u sigurua një kampion arome nga një burrë. Gruaja pjesëmarrëse në eksperiment që kishte të njëjtën bindje politike me burrin pyeti eksperimentuesin nëse mund ta merrte me vete në shtëpi shishen, sepse ishte aroma më e mirë që kishte ndjerë ndonjëherë, tha ajo.
Për të njëjtën shishe një grua tjetër e cila kishte bindje politike të ndryshme nga burri, tha se shishja kishte erë të qelbur dhe sugjeroi që mbase duhej zëvendësuar sepse mund të ishte kalbur.
Prandaj hipoteza e një lidhjeje midis aromës së trupit dhe ideve politike duket se konfirmohet qartë: por përse ekziston kjo lidhje, mbetet mister dhe ndoshta studime të tjera do të hedhin dritë mbi këtë çështje.
Mprihni hundën gra; nëse është socialist vjen erë socialisti, nëse është demokrat vjen erë demokrati.