Të kujtosh artistë kalibri si Agim Qirjaqi i bën mirë dhe keq vetes. Mirë në atë se si ia doli Gimi në skenë, në film dhe në jetë dhe keq se si e mposhti dhe e hëngri gradualisht sëmundja.
Një aktor intelektual, me një logjikë interpretimi absolute, përgjegjësi krijuese dhe amplifikime emocionale në të gjithë rolet kinematografike për të cilat dhe sot nuk na humb kurioziteti, si dhe ato në teatër nga ku patosi dhe forca e fjalës e bënte të rrallë çdo karakter, me stilin dhe individualitetin e vet.
Teatri është një art sa magjik e primitiv, po aq dijeformues dhe filozofik që arrin të japë kuptime dhe qasje të thella mbi jetën. Gimi këtë e gërshetoi gjithë kohën sa qe gjallë: fuqinë sugjestive të iluzionit me mendimet e qarta dhe universalitetin e ideve që udhëheqin njeriun në jetë.
Me një temperament fjalëpakë dhe sanguin në skenë, ai mbetet një nga talentet më të spikatura që arsyeja jonë gjen qartësi sa herë e kujton.
Lindur në Kolonjë në vitin 1950, Agim Qirjaqi do të mbaronte Akademinë e Arteve, duke nisur kështu rrugëtimin e artit skenik. Karriera tij e ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar në vitin 1973, ku interpretoi në ‘’Familja e Peshkatarit’’ dhe ‘’Orët e Kremlinit’’. E më pas fama e thërret në film! Do të ishin ‘’Rrugë të bardha’’ të Viktor Gjikës dhe ‘’Lulëkuqe mbi mure’’ të një tjetër gjeniu, Dhimitër Anagnosti, prej nga ku fiton dhe çmimin e parë në Festivalin e II të Filmit, më 1977.
Shumëkush prej nesh nuk ka si të harrojë drejtorin e rreptë fashist të ‘’Strehës Vorfnore’’ i cili na ngrys ende vetullat prej inatit dhe sot, kjo falë Gimit dhe profesionalizmit të tij. E të mendosh që ishte thjesht në moshën 25 vjeçare ndërsa na shpërfaqet nën petkun e këtij personazhi dramatik 40 vjeçar, aktual dhe sot. Apo në filma si ‘’Dimiri i fundit’’, ‘’Radiostacioni’’, ‘’Apasionata’’, ‘’Tela për violinë’’ dhe ‘’Stola në Park’’.
Prej ku të gjithë e mbajmë mend Aleksin, shkrimtarin e shkëputur nga bota reale, për të jetuar dorëshkrimeve dhe ndoshta atij pasioni për teatrin në dukje të ekzagjeruar, por në thelb sinkron. Me një intensitet jetësor dhe përjetim të së njëjtës dashuri si ajo e Gimit. Sepse teatri ishte gjithçka donte.
Gimi mbajti postin e drejtorit të Teatrit Kombëtar në vitet 2002-2003 dhe ajo që bën përshtypje menjëherë ishte dorëheqja. Pse kaq pak? Çfarë e mundoi Gimin? E gjithë jeta e tij u përplas mureve të këtij Arti, që në Shqipëri të jep vetëm për të ngrënë një pjatë gjellë. Që, si duket, atë e ngopte. Nuk preferoi kurrë një pjatë të dytë, të tretë apo luksin e një ëmbëlsire.
Përse nuk ka asnjë dokumentar kushtuar këtij njeriu? Film apo një libër, një biografi? Mënyra si ai mbylli përjetë sytë, të dhemb dhe sot aq shumë!
‘’Kronikë provinciale’’ do të ishte dalja e tij e fundit publike, në premierën e filmit të Artan Minarollit, një tjetër regjisor që u shua para kohe nga jeta. I bërë një grusht! Duke lënë tek gjithë të pranishmit, shijen e athët të trishtimit. Gimi vuante nga sëmundja ‘’Alzaimer’’, e ishin miqtë e tij që e shtruan në Spitalin nr.5, në pavionin e neurologjisë. Mes analizave të shumta, nuk mjaftoi kujtesa e humbur e cila endej tashmë qiellit, por një koleksion i tërë sëmundjesh; tumor në kocka dhe veshka të rënduara nga azotemia.
Kështu jetoi afro dy vjet. Vetëm! Ditët e fundit i ngrysi në azil.
Sëmundja e ktheu në titanin mitologjik Prometeu, duke e shndërruar vuajtjen në një apoteoz për lirinë dhe sakrificën sublime.
Agim Qirjaqi u shua mëngjesin e 28 marsit 2010, në moshën 59 vjeçare, duke lënë pas një dhimbje që vrau jo vetëm kolegët, por një komb. Ishin të shumtë artistët që folën për të.
Mihail Luarasi, u shpreh: ‘’Humbja e tij ishte një humbje e madhe për teatrin. Një aktor dhe regjisor i shkëlqyer. Një njeri shumë i mirë, sepse në periudhën që ishte drejtor i Teatrit pati guximin dhe ndershmërinë qytetare për të dhënë dorëheqjen nga mospërputhja e mendimeve të drejtuesve sipër tij.’’
Dhimitër Anagnosti : ‘’Një aktor i madh , poliedrik. I shkëlqyer si në role pozitive, ashtu dhe në ato negative. Një njeri i madh në sensibilitetin dhe urtësinë e tij.”
‘’Kur mora vesh humbjen e tij – kujton Ermira Gjata – kam hyrë në studio dhe u thashë studentëve, të mbajmë një minutë heshtje për këtë aktor të madh, i cili meriton të lëvdohet si një ndër aktorët më të mirë të shkollës tonë. Kishte mënyrën e vet, shkollën e tij të interpretimit, nga e cila unë për vete kam mësuar shumë, e besoj do të mësojnë dhe brezat që do të vijnë. Ai, pa zhurmë dhe bujë, bënte punët. Detyrën në nivelin më të lartë profesional.’’
Ndërsa Gëzim Kame, flet : ‘’Më bënte shumë përshtypje që një aktor gjigant kishte këto elemente të mungesës së kujtesës. Fillimisht nuk fliste për sëmundjen. E shikoja që kishte një stërmundim të madh për të duruar simptomat e para të sëmundjes. Sikletosej më tepër me veten, pavarësisht se ne nuk kuptuam gjë në fillim këtë mungesë të vëmendjes’’.
Kanë kaluar shtatë vjet që Agim Qirjaqi nuk është më midis nesh dhe karrigia e tij vazhdon të mbetet bosh. Roli në skenë, gjithashtu.
Dhe në debatet shumëpërfolura për censurimin e filmave këto kohë, më vjen në mend vetëm një pyetje: Si mund të mos shihen rolet e Gimit?
Mall për to!/Konica.al/Ilnisa Agolli/monitor.xyz