Një dhuratë e veçantë ka marrë trajneri i kombëtares italiane, Roberto Mancini, me rastin e mbërritjes së tij në Napoli për të luajtur ndeshjen kualifikuese të “Euro 2024” ndaj Anglisë. Finalja e “Wembley” u përsërit të enjten në mbrëmje në “Maradona”, kësaj here me triumfin e “Tre Luanëve” pas 61 vitesh në tokën italiane.
Kjo dhuratë për trajnerin axurr ishte një statujë e përqafimit ikonik mes tij dhe mikut të përjetshëm Gianluca Vialli, e cila përjetëson momentin e fitores në Kampionatin Evropian 2020, pas finales së “Wembley”.
Vepra është krijuar nga mjeshtri Marco Ferrigno, që banon në San Gregorio Armeno, dhe iu dhurua Mancinit në hotel Excelsior, ku Italia ishte bujtëse përpara ndeshjes kundër Anglisë më 23 mars 2023.
“Kjo figurina u krijua për të festuar atë moment të veçantë, për mendimin tim të shkëlqyer nga pikëpamja njerëzore dhe sportive, – thotë Marco Ferrigno për ‘Fanpage’. – Ishte dëshira ime personale, sepse u identifikova me atë moment dhe e bëra për trajnerin Mancini me rastin e vizitës së kombëtares në Napoli për ndeshjen ndaj Anglisë, të enjten në mbrëmje.
Statujën ia dhashë në hotelin Excelsior, ku ishte sistemuar kombëtarja axurre. Në fakt, presidentit të FIGC, Gabriele Gravina i bëra dhuratë një komplet statujash që festonin fitoren e Kampionatit Europian 2020.
Trajnerit mendova t’i bëja një statujë homazh, përveç kësaj, atë të përqafimit legjendar mes tij dhe mikut të madh, Vialli. Më duhet të them që e pashë vërtet të prekur. Nga Mancini mori fjalë të bukura, ai është jo vetëm një kampion i madh, por edhe një njeri i madh”.