Na ndajnë 2 javë nga ndërrimi i viteve. Megjithatë, përgatitjet për këtë natë kanë nisur herët. Gjeli i detit është një ndër gatimet që nuk mungon në tryezat e shqiptarëve natën e Vitit të Ri.
Fatbardha Allmushaj, prej 40 vitesh merret me rritjen dhe shitjen e gjelave dhe pulave të detit në zonën e Baldushkut. Ajo tregon se ka rritje të çmimit, megjithatë nuk ka ndikuar tek blerësit.
“Kam 33 krerë dhe të gjithë i kam të shitur. Kanë dy javë që i kanë rezervuar. Ne e kemi me 10 mijë lekë (të vjetra) kilogramin. Këtë vit janë rritur çmimet, është ngritur çdo gjë, jo vetëm ne gjelat”, thotë ajo.
Bajram Balla është një tjetër banor i kësaj zone, i cili prej vitesh merret me tregtimin e këtyre shpendëve. “100 krerë, i kam të zënë pjesën më të madhe. Këtë vit i kemi dhënë me 9 mijë lekë (të vjetra). Është ngritur misri shumë, vjet e kam marr kilen e misrit me 30 mijë lekë, sivjet ka shkuar 48-50 mijë. Deri tani kam harxhuar 30 kile misër”, tregon Bajram Balla.
Ata thonë se nuk kanë fitimin e duhur, duke marrë parasysh kujdesin që duan gjeli dhe pula e detit për të paktën 8 muaj. “Ndonjë fitim kush e di nuk ka, 1 milion lekë nuk është ndonjë gjë kush e di, për 8-9 muaj”, thotë Fatbardha Allmushaj.
Shitja e këtyre shpendëve, fillon më 25 dhjetor e deri më datë 31, ku janë dhe ditët që kanë më shumë kërkesa qytetarët.