Për të paren herë në zemër të Europës, Xhubleta dhe Fustanella performojnë bashkë, me dinjitet si shqipja dykrenare mbi flamurin e njomur me gjakun e bijve të vet.
Shkruar nga Rita Shkurtaj
Të mirë menduar dhe largpamëse do ta quaj ftesën e personalizuar ndaj Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” dhe Grupit Polifonik “Bilbili” i Labërisë, nga Shoqata Atdhetare “Nënë Tereza” me qendër në Belgjikë, si dhe nga vetë organizatorët e aktivitetit z. Arian Bajraktari dhe z. Adnan Rexhepi kushtuar Festës së Pavarsisë së Shqipërisë dhe datëlindjes së Legjendarit Adem Jashari të përjetsuar në Altarin e Lirisë.
E lidhur kjo me faktin se prezenca e këtyre dy identiteteve të lashta shqiptare, “Gegë” & “Toskë” në këtë aktivitet, ishte një risi kulturore e shpalosur për herë të parë në skenën e Teatrit Mbretëror të Belgjikës në qendër të qytetit të Namurit.
Veç kësaj edhe për faktin se Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO) gjendet fare pranë kësaj godine kuptimplotë tek e cila, aktualisht, në vëmëndjen e saj ka zërë vënd edhe dosja me jetëshkrimin e rëndësisë dhe vlerave unike që mbart XHUBLETA, pauria më e çmuar i identitetit shqiptar që e peshon dhe dëshifron këtë identitetin kombëtar me prezencën dhe të foluren e saj të lashtë sa vetë jeta, në gjuhen gego – pellazge. Dhe, si thotë një fjale e urtë “asgja nuk ndodh pa një arsye”, pasi ishte pikërish kënga isopolifonike e Bilbilave të Labërisë, tashmë e mbrojtur nga UNESCO, e cila e shoqëroi drejt Belgjikës këtë Identitet Kulturor për të dëshmuar në sy të Europës unitetin vllazëror që i karakterizon shqiptarët anë e mbanë botës, pavarsisht se cilës anë të Shkumbinit u përkasin rrënjët e tyre gjenetike.
Dhe jo për modesti, por edhe për krenari ky aktivitet kulturor shpalosi hijshëm edhe unitetin shqiptar ndërkufitar, ku si asnjëherë tjetër u pa kujdesi dhe kontributi i secilit në realizimin e kësaj veprimtarie soleme, ku merita e këtij suksesi nuk veçoi të parë as të fundit, pavarsisht se përgjegjsia binte direkt mbi organizatorët.
Na gëzoi fakti se në ato ditë të pakta nëntori patëm fatin të njohim shumë qytetar të atij komuniteti Belg që vinin nga treva të ndryshme të trojeve etnike shqiptare, të cilët e sfiduan të ftohtin natyror dhe na ngrohën me dashamirsinë e shprehur me përzemërsi në gjuhën e ëmbël shqipe.
Me këtë rast, në sytë e mëndjes së lexuesve do veçoj edhe një tjetër aspekt për të cilin duhet të ndihemi vërtetë krenar për shqiptarët me banim në Namur të Belgjikës, e jo vetëm, të cilët me ambicje të madhe po bëjnë epokë suksesi në sytë e botës së kulturuar.
Ky fakt na jep edhe më shumë krenari pasi ata janë dhe mbeten për kulturat e huaja pasqyra jonë e lexueshme, se kush janë në të vërtetë shqiptarët. Ndoshta kjo është edhe arsyeja përse paria e Komunës së Namurit i ka me sy të mirë qytetarët shqiptar sa të lejojë aktivitete për qëllime kulturore, juridike apo të ofrojë edhe ndihma humanitare për nevoja me bazë materjale në disa qëndra komunitare në Shqipëri e më gjërë, sikurse ishte rasti i zjarrfikseve dhe mjeteve spitalore të dhuruara Bashkisë së Malësisë së Madhe.
Mjaftuan ato pak orë pas aktivitetit për të krijuar një frymë gjallërie nën tingujt e çiftelisë, lavdës dhe isopolifonisë në ambjentet e Bar – Restorant Metropol të Cem Umit dhe bashkëshortes së tij Arta Umi, të cilët veç bujarisë dhe milkpritjes së tyre përgjatë gjithë qëndrimit tonë, në darkën e shtruar për këtë rast me të gjithë të ftuarit ky ambjen mori kuptim të vërtetë festiv me këngë dhe valle shqiptare, të cilat pasonin njëra-tjetrën si shtregullat e dasmave motit natën e dasmorëve, sepse e tillë u bë edhe kjo natë festive në zemër të Belgjikës me harmoninë e këngëve të ladës së çakçirëve dhe xhubletës me isopolifoninë e fustanellës.
Namur – Belgjikë 2021. /portalishqiptar.com