Ministrja britanike e tregtisë Lis Truss ka njoftuar nënshkrimin e një marrëveshjeje tregtare me Turqinë këtë të martë. Dalja nga Bashkimi Europian ka detyruar Londrën të rinegociojë marrëveshje të reja tregtare me vende të ndryshme të botës.
Ndërsa marrëveshja e BREXIT-it është konfirmuar nga palët respektive, ministrja britanike e Tregtisë Lis Truss ka njoftuar se këtë javë Britania dhe Turqia do të nënshkruajnë një marrëveshje bilaterale të tregtisë së lirë.
Të dy vendet do të nënshkruajnë një marrëveshje të re e cila përsërit kushtet ekzistuese të tregtisë midis Ankarasë dhe Londrës.
“Marrëveshja që ne presim të nënshkruajmë këtë javë do të ndihmojë në mbështetjen e marrëdhënies sonë tregtare. Do të sjellë siguri për mijëra vende pune në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar në industrinë e prodhimit, automobilave dhe çelikut”, tha Truss në një deklaratë.
Marrëdhënia tregtare e dy vendeve që kapi vlerën e mbi 25 miliard dollarëve në 2019 është marrëveshja e pestë më e madhe tregtare që ministria e tregtisë negocion. Më herët kanë qenë marrëveshjet me Japoninë, Kanadanë, Zvicrën dhe Norvegjinë.
Tregtia midis Turqisë dhe Mbretërisë së Bashkuar arriti në 13.5 miliardë dollarë gjatë 10 muajve të parë të këtij viti, ku Turqia ka eksportuar 9 miliardë dollarë në Mbretërinë e Bashkuar, dhe importoi 4.5 miliardë dollarë mallra, bëjnë me dije të dhënat e Institutit Turk të Statistikave. Mbretëria e Bashkuar, pas Gjermanisë, është tregu i dytë më i madh për eksport i Turqisë
Britania, që pas referendumit ku fitoi Brexit, ka nënshkruar marrëveshje tregtare me 62 vende.