Pas 6 vitesh përballje, Berlusconi shpallet i pafajshëm në gjyqin e famshëm ‘Ruby’

Ish-kryeministri i Italisë, presidenti historik i Milanit, Silvio Berlusconi u shpall i pafajshëm dje nga akuza e korrupsionit në aktet gjyqësore, për të cilat u akuzua në kuadrin e gjyqit “Ruby”, një nga hetimet e lidhura me mbrëmjet e famshme të organizuara në rezidencën private të liderit të “Forza Italia” në Arcore.




Vendimi erdhi pas dy orësh diskutime. Gjyqtarët e seksionit të shtatë penal të gjykatës së Milanos kanë vendosur se “fakti nuk ekziston” për asnjë nga 28 të dyshuarit, duke filluar nga Silvio Berlusconi.

Me ish-kryeministrin u akuzuan, ndër të tjera, Karima el Mahroug, e njohur nga shtypi si “Ruby”, senatorja Maria Rosaria Rossi dhe presidenti i “Medusa”, Carlo Rossella, si dhe rreth 20 të ftuar të rinj të mbrëmjeve në Arcore.

Një gjyq që zgjati gjashtë vjet dhe lindi nga dy procedimet e tjera penale përfundoi me pafajësi për të gjithë. Në këtë rast, Berlusconi u akuzua se kishte paguar 10 milionë euro, mes viteve 2011 dhe 2015, për të ftuarit e atyre ahengjeve në “Villa San Martino” për të gënjyer, ose për të mos thënë të vërtetën gjatë gjyqeve të mëparshme.

Prokuroria kishte folur hapur për korrupsion, ndërsa kreu i “Forza Italia” ishte mbrojtur gjithmonë duke pretenduar se donte të shpërblente vetëm vajzat e reja që kishin parë jetën e tyre të shkatërruar nga hetimi i famshëm gjyqësor.

Gjyqtarët ranë dakord me Berlusconi dhe të pandehurit e tjerë. Avokati Federico Cecconi, mbrojtësi i Berlusconit, komentoi vendimin e gjyqtarëve: “Është një shfajësim me formulën më të gjerë dhe më të plotë të mundshme, mund të jem jashtëzakonisht i kënaqur”.

Author: morevesh