Analisti Lorenc Vangjeli tha në emisionin “Opinion” se, Saimir Tahiri ka informacione për njerëz të rëndësishëm, për detaje të jetës së tyre, për veset e madje edhe performancat seksuale të tyre, sikurse u shpreh.
Vangjeli la të kuptohet se nëse Tahiri do të flasë politikanë të tjerë do të kenë pasoja.
“Drama e Saimir Tahirit ka nisur që kur u vendos ministër në detyrë. Mosha. E shikoni avokatin? Ka qenë kryeprokuror 33 vjeç. Perëndia dhe Sali Berisha e shpëtoi. Po të kishte vazhduar të qëndronte, fati i tij do të kishte qenë ndryshe. Njëri prej gjyqtarëve ka patur një konflikt të hapur me zotin Tahiri gjatë kohës që ai ka qenë në detyrë. Kryesuesi i trupit gjykues ka patur konflikt të hapur me zotin Tahiri. Dosja minimalisht do të kërkojë të rigjykohet, por për një politikan mafton një ditë; hapja e derës dhe mbyllja brenda.
Tahiri vërtet po e gdhin në qeli, por ka shumë shokë të tij, të majtë dhe të djathtë që po e gdhinë pa gjumi, sepse standardi që u vendos, kjo masë kostumi që u qep i rri në mënyrë perfekte çdo politikani.
Sot, heshtja e Tahirit në qelinë e burgut shqetëson ca njerëz. Di shumë për vese vetjake, di shumë për marrëdhënie të papërshtatshme, apo edhe për performanca seksuale”, u shpreh Vangjeli.
I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu, nëse këto deklarata janë informacione apo analiza të tij, Vangjeli tha: “Ka dalë ndonjë gjë gabim nga ato që të kam thënë? Nëse Saimir Tahiri flet, sikundër e ka lënë të kuptohet, do të ishte një thesar për të parë veset e atyre që pretendojnë se janë lart”.