Ajo që duhej të ishte një festë u kthye në një skenë të sikletshme, ku lojtarët e kombëtares peruane u përleshën me efektivët e Policisë Kombëtare Spanjolle, kur mbërritën në hotelin e tyre të grumbullimit.
Dhjetra tifozë të “Bicolor” ishin mbledhur në vend për t’i dhënë kurajo kombëtares së tyre. Në momentet e para, teksa delegacioni peruan ka zbritur nga autobusi, gjithçka ka shkuar normalisht, por në një moment situata ka marrë kthesë të rrezikshme.
Kur disa nga lojtarët peruanë iu afruan mbështetësve të tyre, disa anëtarë të policisë nuk i njohën emrat si Pedro Gallese dhe filloi një përleshje, në të cilën të tjerë, si sulmuesi Valera apo mesfushori Yotún, u lënduan.
Në pamje shihet tensioni i momentit dhe përballja e ashpër. Vetë Gallese tregoi disa minuta më vonë atë që ndodhi: “Ne donim t’i përshëndesnim tifozët tanë, ndërsa policia filloi të na godiste me grusht”.
Kur mbrojtësi Carlos Zambrano ka kaluar në hotel është përballur me një nga policët, të cilin në atë moment është dashur ta largojnë disa kolegë për të mos e bërë më të rëndë situatën. Që nga ai moment, tifozët peruanë filluan të shajnë anëtarët e Policisë Kombëtare Spanjolle.
Ngjarje që lë në hije atë që ishte një pamje idilike përpara përballjes së Perusë me Marokun këtë të martë në stadiumin “Metropolitano”.