Ndërsa kanë mbetur vetëm disa orë deri kur Kolegji Zgjedhor të votojë për të certifikuar zyrtarisht demokratin Joe Biden si presidentin e 46-të të Shteteve të Bashkuara, presidenti aktual, Donald Trump, vazhdon të këmbëngulë në mënyrë të pasaktë se ai fitoi në zgjedhjet e muajtit të kaluar.
“Jo, kjo çështje nuk është mbyllur”, tha zoti Trump për televizionin Fox News në një intervistë të dielën në mëngjes, megjithëse dhjetra padi lidhur me pretendimet e tij se po i mohohet padrejtësisht një mandat i dytë, janë hedhur poshtë nga gjykatat.
“Ne vazhdojmë përpjekjet. Kemi çështje të shumta në shkallë lokale. Ne fituam në Pensilvani. Fituam në Miçigan. Fituam në Xhorxhia me diferencë të madhe”, tha ai.
Por zyrtarët e zgjedhjeve në shtete kanë arritur përfundim tjetër dhe anëtarët e Kolegjit Zgjedhor që do të mblidhen të hënën në kryeqytetet e shteteve në të gjithë vendin, kur pritet të konfirmojnë se zoti Biden, siguroi 306 vota elektorale, nga 270 që është minimum i nevojshëm për të fituar.
Presidenti i zgjedhur ka në plan të mbajë një fjalim të hënën në mbrëmje ku pritet do të flasë “për certifikimin e zgjedhjeve nga Kolegji Zgjedhor si edhe për forcën dhe qëndrueshmërinë e demokracisë, “sipas një njoftimi nga ekipi i tij i tranzicionit.
Votat e Kolegjit Zgjedhor pritet të konfirmojnë se zoti Biden ka 306 vota, ndërsa Presidenti Trump 232, i njëjti rezultat me të cilin zoti Trump fitoi ndaj demokrates Hillary Clinton në 2016, kur ai e quajti atë një fitore të thellë.
Kolegji Zgjedhor është ai që përcakton fituesin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA jo vota popullore, megjithëse zoti Biden kryeson edhe në atë kategori, me më shumë se 7 milionë vota.
Kongresi rishikon dhe finalizon rezultatin zyrtar të Kolegjit Zgjedhor më 6 Janar.
Disa anëtarë republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, me në krye ligjvenësin Mo Brooks nga Alabama, kanë në plan të përpiqen të shfrytëzojnë seancën e numërimit të votave të Kolegjit Elektoral në Kongres, për të përmbysur rezultatin në favor të zotit Trump.
“Në bazë të Kushtetutës, ne kemi një rol më me peshë sesa Gjykata e Lartë, sesa çdo gjykatës federal, sesa çdo gjykatës i një shteti, tha zoti Brooks për gazetën New York Times. “Ne marrim vendimin përfundimtar.”
Asnjë Kongres nuk ka zhvleftësuar votat elektorale të një shteti që nga shekulli i 19-të dhe nuk ka gjasa të ndodhë as muajin e ardhshëm. Inaugurimi presidencial ku zoti Biden pritet të marrë detyrën është planifikuar më 20 janar, dy javë pas certifikimit të rezultateve nga Kongresi.