Shqipëria ka tani një spital të ri për fëmijët. Kryeministri mori pjesë në inaugurimin e Pediatrisë duke nënvizuar se brenda katër vjeçarit të tretë, Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza do të jetë më modernia në rajon. Por edhe këtë ambicie kreu i qeverisë e tha me gjysmë zëri.
“Çdo parashikim ta bëjmë me rezervë se të vjen pa pritur pakuptuar në ekuacion një tërmet larg qoftë, ndonjë pandemi, përmbytje apo dreqi vetë, por sipas të gjitha parashikimeve brenda këtij mandate QSUT kthehet në kompleksin më të madh dhe më modern të rajonit, jo vetëm të Shqipërisë”, deklaroi ai.
Bluzave të bardha i është premtuar vazhdimisht rritje pagash, aq më shumë në dy vitet e fundit të cilët kanë qenë në frontin e parë përball COVID-19.
“Rritja e pagës do të bëhet vit pas viti. Ambicia është që të shkojmë në +40% brenda mandatit, gjithmonë duke u lutur që ato që na i sjell koha në formën e fatkeqësive natyrore të na i kursejë kush i vendos këto gjëra dhe që nuk e njohim. Prezumojmë që mbase edhe na dëgjon në mënyrë që në këto katër vite të bëjmë ato që kemi planifikuar”, shtoi kryeministri.
Për mos ta lënë gjithçka në dorë të Zotit, qeveria ka parashikuar një bonus për mjekët e suksesshëm.
“Është një sistem i tërë pikëzimi që sjell tek mjeku të ardhura më të lartë se sa kolegu që vazhdon të paguhet me pagën bazë por për shkak se ka një performancë mesatare nuk merr dot sa merr kolegu në krah”, vijoi Rama.
Godina e Pediatrisë është vijim i investimeve të nisura në QSUT, si Spitali i Sëmundjeve të Brendshme apo Kardiokirurgjia.