Policia e Shtetit ka marrë pjesë në një operacion ndërkombëtar të udhëhequr nga EUROPOL, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve kibernetike.
Si rezultat i operacionit u arrestuan 28 persona në vendet pjesëmarrëse, si të dyshuar për mashtrimin me transaksione. Me anë të disa aplikacioneve në telefonat celularë, bëhej e mundur lidhja me bankat për të kryer transferime dhe blerje në mënyrë të paligjshme.
Operacioni që u zhvillua përgjatë gjithë muajit tetor, si pjesë e Veprimit të Tregtisë Elektronike 2021 përfshin vendet: Shqipëri, Austri, Belgjikë, Kolumbi, Kroaci, Greqi, Hungari, Irlandë, Itali, Gjeorgji, Holandë, Maqedoni e Veriut, Poloni, Portugali, Slloveni, Sllovaki, Spanjë, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky operacion u mbështet nga EUROPOL dhe Këshilli i Rrezikut të Tregtarëve, të cilët bashkuan forcat në një veprim të koordinuar kundër mashtrimeve në internet.