Nuk do të kenë fund telashet për njerëzimin, i cili pas krizës së koronavirusit mund të përballet me një katastrofë humanitare. Ky është paralajmërimi i frikshëm që bën OKB për vitin e ardhshëm.
“Viti 2021 do te jetë katastrofik, mbi bazën e asaj që po shohim në këtë fazë. Tkurrja ekonomike ka qenë e madhe, dhe nevojat janë dyfishuar. Por nëse grumbullojmë fondet e nevojshme mund të parandalojmë destabilizimin, krizën e urisë dhe migracionit. Në të kundërtën do të përballemi me krizën më të rëndë humanitare që prej themelimit të Kombeve të Bashkuara”, shprehet David Beasley, drejtor i Programit Botëror të Ushqimit.
Sipas OKB, masat e marra kundër pandemisë dhe impakti ekonomik kanë rritur me 40 përqind numrin e personave që kanë nevojë për ndihma humanitare.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u kërkoi shteteve të pasura të mos i lënë pas dore shtetet e varfra për vaksinën anti-COVID.
”Thjesht nuk mund të pranojmë një botë ku të varfrit të shtypen nga të pasurit në garën për vaksinat. Kjo është një krizë globale dhe zgjidhjet duhet të ndahen në mënyrë të barabartë si të mira publike globale, e jo si komoditete private që thellojnë pabarazitë”, deklaroi kreu i OBSH-së./korrieri.al