4 personat e arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Tiranës për skandalin e nxjerrjes së pagave të mbi 650 mijë qytetarëve u liruan nga gjykata. Në bazë të një vendimi të gjykatësit Artan Gjermeni të marrë të shtunën, Eni Qirjako, eksperte e IT në Drejtorinë e Tatimeve do të qëndrojë në masën detyrim paraqitje. Për 3 të arrestuarit e tjerë, ekspertin e IT te Tatimet, Andi Agaraj dhe dy përmbaruesit privatë Klodian Sota dhe Endri Ikonomi është dhënë masa e arrestit në shtëpi.
Organi i akuzës kërkoi masën “detyrim paraqitje” dhe “pezullim të ushtrimit të detyrës” për eksperten e IT, Eni Qirjako gjë që u pranua nga Gjykata. Për 3 të tjerët akuza kërkoi masën arrest me burg, por gjykata i la në arrest shtëpie. Këta persona u arrestuan në 7 janar të akuzuar për “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsion”.
Sipas Prokurorisë, Eni Qirjako punonjëse specialist IT pranë AKSHI-t përgjegjëse për të dhënat e sektorit të Tatimeve, i ka kaluar në 6 raste kolegut të saj Andi Agaraj, të gjitha të dhënat e pagave për të cilat ajo kishte akses në server. Agaraj ia ka shitur të dhënat për 20 mijë lekë shtetasit Klodian Sota, ndersa ky i fundit i ka shitur kete material Endri Ikonomit per 30 mije leke.
Sota është menaxher pranë kompanisë “Smart Collection”, ndërsa Ikonomi rezulton të jetë administrator i kompanisë “Credit 2 All”, në pronësi të biznesmenit rus Oleg Viktorovich Boyko. Sipas prokurorisë, rrjedhja e listës së pagave dhe targave, mund të ketë lidhje edhe me listat e patronazhistëve në mënyrën e gjenerimit të të dhënave.