Zhupa u shpreh se është ndjerë e revoltuar nga reagimi i ministres e se kjo e fundit nuk e meriton të jetë në atë detyrë pasi nuk është e denjë të bëjë politika për fëmijët.
TIRANË– Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa ka kërkuar dorëheqjen e ministres për fëmijëte Bora Muzhaqit. Kjo kërkesë pas reagimit që ministrja bëri pasi u pyet nga gazetarët për ngjarjen e horrorit në Fier. Zhupa u shpreh se është ndjerë e revoltuar nga reagimi i ministres e se kjo e fundit nuk e meriton të jetë në atë detyrë pasi nuk është e denjë të bëjë politika për fëmijët.
REAGIMI:
Dy realitete krejt të ndryshme kishte sot në Tiranë. Familjarët e Mateos, të dërrmuar nga dhimbja, që kërkojnë ndihmën e qytetarëve për të firmosur kthimin e dënimit me vdekje dhe Ministrja e Edi Ramës për fëmijët, që shpërfill me buzëqeshje dhimbjen e pamasë për vrasjen makabre të vogëlushit. Bora Muzhaqi ikën pa thënë asnjë fjalë për të, pa treguar aspak dhimbsuri, përulësi dhe përgjegjshmëri për detyrën e saj. Kur të shihni videon, jam e sigurtë se do të revoltoheni njësoj si unë. Dhe nuk e them këtë, sepse unë jam deputete e opozitës, që shoh më të këqijat tek qeveria. Jam e revoltuar si nënë dhe si qytetare, kur shoh Ministren për Fëmijët të na përpalsë në fytyrë VKM-në e detyrave të saj.Zonja Ministre! Ju sot duhet të jepni dorëheqjen, sepse nuk jeni e denjë të bëni politika për fëmijët tanë! Jeta dhe mirëqenia e një fëmije është çështje shumë më e madhe sesa një VKM. Por ju këtë zonja Ministre nuk mund ta kuptoni, sepse jeni në atë detyrë jo për meritën tuaj, por sepse Edi Ramës i duhet buzëqeshja juaj!
Dosja.al publikoi me video reagimin e ministres për fëmijët, teksa u pyet nga gazetarët për rastin e Mateos së vrarë në Fier. ‘Nuk kam kohë, më duhet të largohem’ ishte përgjigjia që u tha nga Muzhaqi e që u komentua gjatë në rrjet.
(a.b)/dosja.al